mar112020
Coronavirusi. EMA: Për momentin, nuk ka mungesë barnash
"Sa i përket ndikimit të mundshëm të epidemisë Covid-19 në Evropë, në furnizimin me barna, mund të thuhet se aktualisht nuk ka mungesa, se situata monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe se janë ndërmarrë hapa për të patur një panoramë sa më të qartë në lidhje me problemet e mundshme të furnizimit". Këtë e ka bërë të ditur zëvendësdrejtori ekzekutiv i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA), Noël Wathion, në Bruksel, gjatë punimeve të Këshillit të Jashtëzakonshëm EPSCO mbi epideminë e coronavirusit të ri.
"Do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj, shtoi Whation, mbi mundësinë reale të një "efekti kumulativ" sipas të cilit mungesat e mundshme të furnizimit që vijnë nga infeksioni Covid-19, i shtohen një problemi mungesash tashmë ekzistuese në BE. EMA beson se është i nevojshëm një debat më i gjerë, duke përfshirë edhe industrinë farmaceutike, se si të rritet kapaciteti në lidhje me furnizimin me barna".
"EMA, vazhdoi ai, po punon në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian dhe autoritetet kombëtare kompetente të shteteve anëtare. Aktualisht, nuk ka asnjë indikacion se furnizimi me barna është prekur nga epidemia Covid-19. Kjo bazohet në informacionin e dhënë nga industria farmaceutike dhe shtetet anëtare, si dhe informacioni, megjithëse i kufizuar, nga autoritetet shëndetësore kineze. Duke u përpjekur të krijojmë një panoramë sa më të plotë të situatës dhe duke patur parasysh që ende ekzistojnë faktorë të panjohur që lidhen me sasinë e ndikimit në furnizimin me barna në tregun e BE-së, vëmendja e EMA-s u përqendrua kryesisht në analizën e të dhënave të bankës së agjencisë. Kjo analizë ka treguar se numri i vendeve aktive të prodhimit të vendosura në Kinë, si dhe numri i substancave aktive të importuara direkt nga Kina, është i konsiderueshëm".
"EMA, thotë Wathioni, tani po punon për barna të autorizuara përmes procedurës së centralizuar, si dhe për të gjitha produktet e tjera, me qëllim që të vendosë kontakte me ndërmarrje individuale që kanë të paktën një vend prodhimi (substanca aktive, substanca të ndërmjetme ose produkt i përfunduar) të vendosur në Kinë. Pas çdo reagimi të marrë nga sektori, nëse pritet një mungesë furnizimi për shkak të bllokimit të vendeve të prodhimit dhe/ose kufizimeve të transportit, do të bëhen të gjitha vlerësimet kritike".
"Një element tjetër që duhet marrë në konsideratë në këtë drejtim, thotë ai, është njoftimi i lëshuar nga qeveria indiane sipas të cilit, eksporti i substancave aktive dhe formulimeve të caktuara ka qenë i kufizuar deri në një njoftim të mëtejshëm. Për pasojë, analiza e vazhdueshme duhet të marrë parasysh situatën në Indi".