Farmaci

mar272020

Evropa nis t'i trembet mungesës së barnave. Varësi nga prodhuesit indianë dhe kinezë

Sipas të dhënave të Farmindustrisë, Italia është e para në Evropë për prodhimin e barnave (me xhiro 32 miliardë euro), e ndjekur nga Gjermania (31), Britania e Madhe (22), Franca (20) dhe Spanja (15). Pavarësisht këtyre shifrave të rëndësishme, shumica e barnave të shitura në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës, vijnë nga India dhe Kina, ku prodhimi është më i lirë.

Me pandeminë në zhvillim, qeveritë, entet dhe institucionet kanë nisur t'i frikësohen mungesës së mundshme të barnave në Bashkimin Evropian. Që nga fillimi i marsit, India njoftoi se do të frenonte eksportet e barnave, duke nxjerrë në pah një problem që është më i vjetër se pandemia Covid-19: varësia e industrisë farmaceutike globale nga disa prodhues indianë dhe kinezë.

Sot, me zinxhirin e prodhimit që përfshin disa kontinente, ndërmarrjet farmaceutike evropiane i grumbullojnë produktet e tyre në Indi dhe 70% e principeve aktive të përdorura vijnë nga Kina që furnizon, për shembull, 80-90% të furnizimit global të përbërësve aktivë për antibiotikë. Arsyeja është e thjeshtë: askund tjetër në botë nuk është e mundur të prodhohen sasi kaq të mëdha, me kosto të ulët.

Sidoqoftë, India dhe Kina nuk kanë një industri të pavarur farmaceutike, pasi ato kryesisht prodhojnë barna gjenerike, duke qenë se kërkimi dhe zhvillimi i barnave të reja kërkon shumë kohë, para dhe përvojë. Për këtë arsye, lidershipi mbi barnat origjinale të patentuara është ende në duart e kombeve të industrializuara perëndimore, por jo më prodhimi i tyre. Ekzistojnë edhe arsye juridike pse gjenerikët janë shpërngulur jashtë BE-së ndër vite. Ligji Evropian i Patentave, i cili siguron njëzet vjet mbrojtje për një bar, ndalon prodhimin e çdo versioni gjenerik gjatë kësaj periudhe, edhe nëse ai është i destinuar për eksport ose është tashmë në fazën e para-prodhimit, për periudhën që pason skadimin e patentës. Kjo, thonë më kritikët, i ka detyruar shumë prodhues t'i prodhojnë gjenerikët e tyre në rajone të tjera.

Në dritën e gjithë kësaj, a do të ishte më e dëshirueshme të rikthehej prodhimi në Evropë? Çështja ka nisur të trajtohet. Në shkurt të vitit të kaluar, për shembull, unioni vendosi të lehtësojë ligjin e patentave, për të kompensuar disavantazhet ekonomike. Ndërkohë, prodhimi i barnave gjenerike për eksport duhet të jetë i mundur, megjithëse patenta për principin aktiv origjinal është akoma e vlefshme. Sot, veç të tjerash, lejohet edhe prodhimi për stoqe. Nga ana tjetër, sidoqoftë, kompanitë farmaceutike që e bazojnë prodhimin e tyre në hulumtim, janë të shqetësuara, sepse çdo kufizim i të drejtave të patentave do të dëmtonte kërkimin e kushtueshëm për principe të reja aktive.
Megjithatë, përtej rregullave dhe skenarëve, faktori kryesor nuk ndryshon: Evropa nuk mund të konkurrojë me tregun aziatik në prodhimin e produkteve farmaceutike përsa i përket çmimit. Për sa kohë që India dhe Kina vazhdojnë të prodhojnë barna të lira, tregu botëror do të mbetet i varur prej tyre.


Cristoforo Zervos


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC