pri272020
Surfaktant pulmonar pacientëve Covid-19, për të përmirësuar rezultatet e pneumonisë
Sipas një studimi të botuar në "Journal of Medical- Clinical Research & Reviews", te pacientët me pneumoni intersticiale Sars-CoV-2, do të kishte dobi përdorimi i surfaktantit.
"Unë propozoj administrimin e surfaktantit pulmonar te pacienti Covid-19 gjatë ventilimit të asistuar. Kjo teknikë zakonisht përdoret te foshnjat e parakohshme që vuajnë nga mungesa e prodhimit të surfaktantëve pulmonarë për shkak të papjekurisë së qelizave alveolare të tipit II, në pritje që, pasi të piqen, këto qeliza t'i prodhojnë ato në mënyrë autonome", thotë Lorenzo Bracco, Fondacioni "Lorenzo Bracco" në Torino, autor i studimit.
Covid-19 bëhet problematik nëse infeksioni arrin në mushkëri. Virusi ka një tropizëm për qelizat epiteliale dhe, me qëllim replikimin në mushkëri, infekton qelizat e tipit II të epitelit alveolar, të cilat si pasojë e sulmit viral, ulin prodhimin e surfaktantit pulmonar. Nëse surfaktanti zvogëlohet, alveolat priren të kolapsohen, për shkak të tensionit më të lartë sipërfaqësor. Si rezultat, kolapsohet mushkëria, por kolapsi parandalohet nga lëvizja muskulare e inspirimit dhe kështu, në hapësirën intersticiale krijohet një zonë me presion të ulët që tërheq lëngje dhe substanca, shpesh inflamatore, të cilat organizohen me kalimin e kohës, duke shkaktuar pneumoninë intersticiale. Sipas autorit, duke administruar surfaktant, siç është bërë për foshnjat e parakohshme, sasia e saktë e surfaktantit mund të ruhet gjatë fazës akute të infeksionit dhe qelizave alveolare të tipit II do t'u jepej koha të shëroheshin duke rifilluar në mënyrë të pavarur prodhimin e surfaktantit.
Eksperti përfundon me disa konsiderata për menaxhimin e pacientëve me Covid-19 dhe nënvizon se, meqenëse pneumonia intersticiale është manifestimi më serioz respirator i virusit, është e nevojshme që patogjeni të luftohet përpara se të mund të zhvillohet. Bracco sugjeron të administrohet paracetamol vetëm nëse temperatura ngrihet në mënyrë të rrezikshme dhe në vend të kësaj, të përdoren antiviralë në shenjat e para të infeksionit, të tilla si ethe, ose kollë. "Nga pikëpamja farmakologjike, përdorimi i klorokinës në infeksionin Covid-19 është shumë interesant. Gjithashtu, interesante është azitromicina, një antibiotik që përdoret tashmë në pneumologji, në pneumoninë me etiologji të pasigurt", përfundon studiuesi.
J Med-Clin Res & Rev. 2020; 4(4): 1-3.
http://www.scivisionpub.com/pdfs/covid19-type-ii-alveolar-cells-and-surfactant-1137.pdf