maj222020
Simptomat Covid-19. Në studim, integrimi i vitaminës D dhe humbja e nuhatjes dhe shijes
Ruajtja e niveleve normale plazmatike të vitaminës D jo vetëm që mund të luajë një rol në uljen e rrezikut të infeksioneve akute të traktit respirator, por mund të jetë e rëndësishme për trajtimin e dy simptomave tipike të sëmundjes Covid-19, siç është anosmia (humbja e nuhatjes) dhe ageusia (humbja e shijes), për të cilat janë ankuar shumë pacientë. Kjo u raportua në një punim të botuar këtë muaj në "American Journal of Physiology - Endocrinology and Metabolism", raportuar nga Instituti i Lartë Italian i Shëndetësisë (ISS).
Letrën e ka nënshkruar një grup studiuesish nga institucione të ndryshme italiane (IDI-IRCCS në Romë, ISA-CNR në Avellino, spitali "S. Andrea" në Romë) dhe nga një universitet amerikan (Universiteti Augusta, në Xhorxhia), të koordinuar nga Francesco Facchiano (ISS) dhe është përgjigje e një letre tjetër të botuar në prill, në të njëjtën revistë. Në këtë të fundit, studiuesi Hrvoje Jakovac (Universitetit i Rijekës, në Kroaci), shqyrtonte: "Covid-19 dhe vitamina D. A ekziston një lidhje dhe një mundësi për ndërhyrje?".
"Bazuar në një meta-analizë të gjerë të botuar në vitin 2017, që sjell një përmbledhje sistematike të studimeve me përzgjedhje rastësore, të kontrolluara, shpjegon Facchiano, ne konfirmojmë atë që propozoi kolegu kroat, pra, ndikimin e mundshëm pozitiv të integrimit të vitaminës D kundër infeksioneve akute të traktit respirator. Për më tepër, theksojmë se anosmia dhe ageusia, simptoma të vërejtura te pacientët me Covid-19, janë zbuluar edhe në subjektet me mungesë të vitaminës D. Në literaturë raportohet gjithashtu se pacientët me sindromën Kallman, një formë e rrallë kongjenitale e hipogonadizmit hipogonadotropik, shpesh paraqesin disa karakteristika të zakonshme për pacientët Covid-19 si: hipo ose anosmi, shpeshtësi më e madhe e sëmundjes te subjektet meshkuj, si dhe nivele të ulëta të vitaminës D. Prandaj, këto hulumtime nënvizojnë nevojën që, përmes studimeve të hollësishme epidemiologjike, të mblidhen të dhëna nga pacientët për të ndërlidhur infeksionin Covid-19 me strukturën hormonale të vetë pacientëve".
"Aktualisht, përfundon letra, janë në zhvillim studime të shumta klinike (për shembull në SHBA), të cilat synojnë të testojnë integrimin e vitaminës D te pacientët me Covid-19, në kombinim me barna të tjera dhe të krahasojnë efektin e dozave të larta, në krahasim me dozat standarde. Rezultatet e këtyre studimeve do të jenë thelbësore për të verifikuar dobinë e integrimit të vitaminës D te pacientët Covid-19".