gus72020
Zhvillohet insulina që bën efekt thuajse menjëherë pas injektimit në trup
Universiteti i Stanfordit po zhvillon një formulim të ri insuline, që nis të bëjë efekt thuajse menjëherë pas injektimit në trup, katër herë më shpejt sesa formulimet aktuale të insulinës së shpejtë, që janë në dispozicion aktualisht në treg. "Ne u përqendruam në insulinën monomerike, e cila ka një strukturë molekulare që, në teori, duhet ta lejojë atë të veprojë më shpejt sesa format e tjera të barit. Problemi është se insulina monomerike është shumë e paqëndrueshme për përdorim praktik", shpjegon Eric Appel, autor i një studimi që përshkruan zbulimin, botuar në "Science Translational Medicine".
Formulimet e tanishme në treg, përmbajnë një kombinim të tre formave të insulinës, përkatësisht monomere, dimere dhe hekzamere. Studiuesit hamendësuan që monomeret do të ishin më lehtë të disponueshme në trup, por, brenda flakoneve, molekulat e insulinës që janë në këtë formë, do të tërhiqeshin në sipërfaqen e lëngut dhe atje do të agregoheshin, duke u bërë joaktive. Sidoqoftë, pasi ekzaminuan dhe testuan një numër të gjerë polimeresh për t'u përdorur si aditivë, ekspertët gjetën njërin, që arrinte ta stabilizonte insulinën monomerike për më shumë se 24 orë. Polimeri do të vepronte si një pengesë midis molekulave të insulinës që përpiqen të ribashkohen, pa bashkëvepruar me vetë molekulat. Studiuesit konfirmuan veprimin ultra të shpejtë të formulimit të tyre, duke e përdorur atë te derrat diabetikë dhe duke zbuluar se insulina e tyre arrin 90% të aktivitetit të saj të pikut, brenda pesë minutave pas injektimit, ndërsa insulina me veprim të shpejtë, që është në dispozicion aktualisht në treg, fillon të shfaqë aktivitete domethënëse vetëm pas 10 minutash. Për më tepër, aktiviteti i insulinës monomerike arriti kulmin në rreth 10 minuta, ndërsa insulina në treg zgjati 25 minuta. Te njerëzit, ky ndryshim mund të rezultojë në një rënie katërfish të kohës që i duhet insulinës për të arritur aktivitetin e pikut. Studiuesit planifikojnë aplikimin për miratim në Administratën e Ushqimit dhe Barnave (FDA), në mënyrë që ta testojnë formulimin e tyre të insulinës në eksperimente klinike me njerëz.
Sci Transl Med 2020. Doi: 10.1126/scitranslmed.aba6676
http://dx.doi.org/10.1126/scitranslmed.aba6676