sht142020
Nuk ka lidhje mes vaksinës antigrip gjatë shtatzënisë dhe autizmit të fëmijës
Një studim i kryer nga studiues të Institutit Karolinska në Suedi tregon se nuk ka asnjë lidhje midis vaksinimit kundër gripit H1N1 gjatë shtatzënisë dhe rrezikut të çrregullimeve të spektrit të autizmit (ASD) te fëmijët.
"Rezultatet tona janë të rëndësishme pasi disa njerëz dyshojnë se vaksinat mund të shkaktojnë autizëm dhe lëvizja anti-vaksinë është në rritje në botën perëndimore", shpjegoi autori kryesor Jonas Ludvigsson. "Vaksinimi H1N1 ka qenë më parë i lidhur me një rrezik në rritje të narkolepsisë te të rinjtë, por vaksinimi i grave shtatzëna nuk duket se ndikon në rrezikun e çrregullimit të spektrit të autizmit te fëmija", shton ai.
Megjithëse dy studime të kohëve të fundit nuk kanë qenë në gjendje të përjashtojnë lidhjen midis vaksinimit sezonal të gripit ose gripit H1N1 gjatë shtatzënisë, me ASD-në e të palindurve, rezultatet e këtij studimi të ri sugjerojnë se kjo lidhje nuk ekziston.
Ky ishte një studim kohorte, i botuar në "Annals of Internal Medicine", për të cilin u përdorën regjistrat kombëtarë dhe që përfshinte fëmijë të lindur gjallë midis tetorit 2009 dhe shtatorit 2010. Një numër i përgjithshëm prej 39,726 fëmijësh të ekspozuar ndaj vaksinimit H1N1 në periudhën prenatale (13,845 në tremujorin e parë) dhe 29,293 të paekspozuar u ndoqën deri në fund të vitit 2016. Studiuesit nuk gjetën asnjë lidhje midis ekspozimit ndaj vaksinimit kundër gripit të derrit me ASD-në ose çrregullimin autik (AS; rezultat dytësor) te fëmijët.
Në fakt, u vu re që, gjatë një ndjekjeje mesatare prej 6.7 vjetësh, rastet e ASD-së dhe AD-së ishin thuajse të njëjta midis grupeve: 394 (1.0%) të fëmijëve të ekspozuar ndaj vaksinës dhe 330 (1,1%) e atyre që nuk janë të ekspozuar. Ekspozimi nuk u shoqërua me diagnozën e ASD-së edhe pas përshtatjes sipas faktorëve të mundshëm ngatërrues. Rezultate të ngjashme u morën duke marrë parasysh vaksinat e kryera gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë.
"Kërkimi mbi vaksinimin nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm se tani. Duke parashikuar një vaksinë kundër Covid-19, miliona grave shtatzëna ka të ngjarë t'u ofrohet një vaksinim i tillë. Megjithëse grupi ynë kërkimor nuk ka studiuar efektet e vaksinës Covid-19, hulumtimi ynë mbi vaksinimin H1N1 shton njohuritë aktuale në lidhje me vaksinat, shtatzëninë dhe sëmundjet e pasardhësve në përgjithësi", tha Ludvigsson.
Ann Intern Med. 2020 Sep 1. Doi: 10.7326/M20-0167
https://doi.org/10.7326/M20-0167