sht232020
Skleroza e shumëfishtë. Reduktimi i dozës së rituximabit është një mundësi e sigurt dhe efektive
Një studim i botuar në "Multiple Sclerosis Journal" tregon se reduktimi i dozës gjashtëmujore të rituximabit nga 1 gram, në 500 miligramë është efektiv dhe tolerohet mirë në trajtimin e sklerozës së shumëfishtë. "Duke pasur parasysh profilin e favorshëm kosto-efikasitet, rituximabi mbetet një opsion i vlefshëm në peizazhin terapeutik për sklerozën e shumëfishtë, madje edhe në dozim të reduktuar", thotë bashkautori Giulio Disanto.
Për të përcaktuar efikasitetin dhe rezultatet e pafavorshme të reduktimit të rituximabit, studiuesit ekzaminuan 59 pacientë me sklerozë të shumëfishtë të trajtuar me barin në dozën 1 gram për të paktën 1 vit para fillimit të studimit. Në 63% të rasteve, MS ishte recidivuese-remitente (RRMS), ndërsa pjesa tjetër kishte sëmundje dytësore progresive (SPD). Të gjithë pacientët iu nënshtruan ekzaminimeve neurologjike në fillim dhe më pas çdo 3 muaj për 1 vit, me simptoma të reja, infeksione ose ngjarje anësore të vlerësuara duke përdorur shkallën EDSS (Expanded Disability Status Scale). Pjesëmarrësit iu nënshtruan gjithashtu skanimeve MRI të trurit dhe të shtyllës kurrizore në fillim dhe për 12 muaj.
Pas përllogaritjeve, nuk u vërejtën ndryshime të rëndësishme midis rezultateve të EDSS-së në fillim me dozën 1-gramëshe, pastaj me fillimin e dozës 500 mg dhe as me fillimin e dozës së përgjysmuar deri në fund të ndjekjes. As analiza e veçantë e pacientëve me RRMS dhe SPD, nuk tregoi ndryshime në rezultatet e EDSS-së nga fillimi i dozës 500 mg, deri në fund të ndjekjes. Gjatë trajtimit 1.000 mg, pacientët që zhvilluan të paktën një dëmtim të ri T2 në tru ose në shtyllën kurrizore, kanë qenë përkatësisht 9 dhe 4. Përkundrazi, në periudhën e trajtimit 500 mg, vetëm një pacient zhvilloi një lezion të ri T2 dhe dy zhvilluan lezione të reja T2 në shtyllën kurrizore. Një numër i përgjithshëm prej 33 pjesëmarrësish raportuan të paktën një ngjarje anësore gjatë periudhës së trajtimit 500 mg, me vetëm tre ngjarje të rënda: një pankreatit, një stent koronar dhe një neutropeni. "Nga këto të dhëna del se është e mundur të zvogëlohet doza, e cila do të japë mundësi për përdorimin e këtij medikamenti të shkëlqyer për periudha më të gjata kohore", përfundon Disanto.
Multiple Sclerosis Journal 2020. Doi: 10.1177/1352458520952036
https://doi.org/10.1177/1352458520952036