dhj282020
Skleroza e shumëfishtë. Siponimodi ngadalëson përparimin e aftësisë së kufizuar dhe përmirëson përpunimin konjitiv
Njerëzit me sklerozë të shumëfishtë dytësore progresive (MS) që morën siponimod për një deri në dy vjet, kanë patur një përmirësim të shpejtësisë së përpunimit konjitiv krahasuar me ata që nuk e morën barin, sipas një studimi të ri të botuar në "Neurology". "Megjithëse aktualisht nuk ka barna të miratuara në Shtetet e Bashkuara për trajtimin e dëmtimit konjitiv në MS, studimi ynë tregoi se siponimodi, i cili përshkruhet për të ngadalësuar përparimin e aftësisë së kufizuar fizike në MS, mund të ndihmojë gjithashtu në përmirësimin e shpejtësisë së përpunimit konjitiv te njerëzit me MS të përparuar", shpjegon Ralph Benedict (Universiteti i Bufalos në Nju Jork dhe Akademia Amerikane e Neurologjisë), autori kryesor i studimit.
Studiuesit studiuan 1,651 njerëz me MS progresive sekondare me moshë mesatare 48 vjeç, për një kohëzgjatje maksimale prej dy vjetësh dhe i përzgjodhën ata në mënyrë rastësore për të marrë ose siponimod (dy miligramë në ditë), ose placebo. Të gjithë pjesëmarrësit iu nënshtruan testeve konjitive në fillim të studimit dhe më tej, pas çdo gjashtë muajsh, duke përfshirë Symbol Digit Modality Test, i cili mat shpejtësinë e përpunimit konjitiv. Një rritje ose ulje e katër ose më shumë pikëve në këtë test konsiderohet ndryshim i rëndësishëm klinikisht i lidhur me cilësinë e jetës dhe përparimin e aftësisë së kufizuar. Ekspertët zbuluan se mesatarisht, njerëzit që morën siponimod përmirësuan rezultatet e tyre në këtë test pas një viti, 18 muajsh dhe dy vjetësh, krahasuar me grupin e placebos, rezultatet e të cilit nuk ndryshuan.
Mundësia e arritjes së përmirësimit të vazhdueshëm me katër ose më shumë pikë ishte 28% më e madhe në grupin siponimod sesa në grupin e placebo. Mundësia e uljes së rezultatit me katër ose më shumë pikë ishte 21% më e ulët në grupin e siponimodit. Nga pjesëmarrësit që morën siponimod, 35% përmirësuan rezultatet e tyre me katër ose më shumë pikë, 41% nuk kishin asnjë ndryshim dhe 25% kishin katër ose më shumë pikë më të ulëta krahasuar me 27%, 42 % dhe 32% te njerëzit e trajtuar me placebo. Rezultatet e marra në dy testet e tjera mbi të menduarit dhe kujtesën nuk treguan dallime midis dy grupeve.
"Do të nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar se si ndikon siponimodi në një gamë më të gjerë mbi mendimin dhe kujtesën, përpara se të përshkruhet për të përmirësuar përpunimin konjitiv", përfundojnë autorët.
Neurology 2020. Doi: 10.1212/WNL.0000000000011275
http://doi.org/10.1212/WNL.0000000000011275