tet202020
Coronavirusi. OBSH: remdesiviri nuk është shumë efektiv
Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, shpresat se bari remdesivir kundër ebolës mund të jetë i dobishëm kundër Covid-19, duket se janë zbehur.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur zbehjen e shpresave që bari kundër ebolës, remdesiviri dhe tre barna të tjera ekzistuese mund të jenë të dobishme kundër Covid-19. Studimi i katër barnave, i kryer me 11,000 pacientë në 30 vende, tregon se këto barna "duket se kanë pak ose aspak efekt" në mbijetesën dhe përparimin e sëmundjes midis pacientëve të shtruar në spital, tha OBSH-ja në Gjenevë.
Studimi Solidarity i Agjencisë Shëndetësore të Kombeve të Bashkuara përfshiu remdesivirin, trajtimin kundër HIV-it lopinavir/ritonavir, barin kundër malaries, hidroksiklorokinën dhe interferonin e zhvilluar për sklerozën e shumëfishtë. Edhe Bashkimi Evropian kishte hedhur shpresat mbi remdesivirin.
Komisioni Evropian bëri të ditur këtë muaj lidhjen e një kontrate për të siguruar furnizime shtesë të antiviralit, për një numër të përgjithshëm prej 500,000 pacientësh. Pavarësisht dyshimeve mbi efektivitetin e tij, remdesiviri ishte bari i parë që mori miratimin e BE-së për trajtimin e rasteve të rënda të sëmundjes të shkaktuar nga coronavirusi i ri. Edhe vetë Presidenti i SHBA-së Donald Tramp mori remdesivir, ashtu si deksametazon dhe barna të tjera, thanë mjekët e tij.
Megjithëse deksametazoni nuk është përfshirë në studimet e OBSH-së, një eksperimentim britanik ka treguar se ky kortizonik ul vdekshmërinë midis pacientëve të hospitalizuar, me Covid-19.