Shëndetësi

shk282022

Lufta në Ukrainë. Nivele të ulëta oksigjeni, mungesë barnash dhe Covid. Urgjenca shëndetësore, në pikun e saj

Nivele të ulëta oksigjeni, mungesë barnash dhe mbi 25,000 raste Covid në ditë. Rrethimit të tankeve në Ukrainë i shtohet edhe emergjenca e rrezikut shëndetësor. "Gjatë krizës në Ukrainë, shëndeti duhet të mbetet një shtyllë prioritare e reagimit humanitar, duke i mbajtur sistemet shëndetësore dhe strukturat e ndihmës të mbrojtura, funksionale, të sigurta dhe të aksesueshme për të gjithë ata që kanë nevojë për shërbime mjekësore thelbësore", bëri thirrje drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe drejtori i zyrës rajonale të OBSH-së për Evropën, Hans Henri P. Kluge. "Të paktën 102 civilë ukrainas janë vrarë qëkur Rusia nisi pushtimin e saj dhe 304 janë plagosur", tha zyrtarja e OKB-së për të drejtat e njeriut Michelle Bachelet në hapjen e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë. "Shumica e këtyre civilëve u vranë me armë shpërthyese me fushë të madhe veprimi, përfshirë bombardimet e artilerisë së rëndë, sistemet e raketave me shumë lëshime dhe sulmet ajrore. Shifrat reale, hedh dyshimin ajo, janë dukshëm më të larta".

 

Shqetësim kryesor, furnizimi me oksigjen

Shqetësimi kryesor, në këtë fazë, ka të bëjë me furnizimin me oksigjen "i cili është rrezikshmërisht i ulët për shkak të krizës", paralajmërojnë Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe OBSH Evropë, të cilët kërkojnë furnizime thelbësore mjekësore dhe shpjegojnë se po punojnë me partnerët për të krijuar një "tranzit të sigurt" të dërgesave përmes Polonisë. Edhe punonjësit e shëndetësisë duhet të qëndrojnë "të mbrojtur, në mënyrë që të vazhdojnë të shpëtojnë jetë". Në këtë kontekst, "furnizimet thelbësore mjekësore, duke përfshirë oksigjenin, të cilat janë thelbësore për pacientët me një sërë patologjish, përfshirë njerëzit e shtruar në spital me Covid-19 (që tani janë 1,700 në spitale në të gjithë vendin) dhe ata me sëmundje të tjera kritike (nga foshnjat, te të moshuarit) që rrjedhin nga komplikacionet e shtatzënisë, lindja, sëmundjet kronike, sepsisi, lëndimet dhe traumat", shpjegojnë dy eksponentët e agjencisë së OKB-së për shëndetësinë.

Situata e furnizimit me oksigjen në Ukrainë "po i afrohet një pike shumë të rrezikshme. Kamionët nuk janë në gjendje të transportojnë furnizime nga fabrikat në spitalet në të gjithë vendin, përfshirë kryeqytetin Kiev. Shumica e objekteve të kujdesit shëndetësor mund të mbeten pa furnizime me oksigjen brenda 24 orëve të ardhshme. Disa, tashmë, kanë mbaruar. Kjo vë në rrezik mijëra jetë", paralajmërojnë drejtuesit e OBSH-së. Rrezikun për pacientët e ka rënduar fakti se "shërbimet e rëndësishme spitalore janë të rrezikuara nga mungesa e energjisë elektrike dhe ambulancat që transportojnë pacientë rrezikojnë të ngecin mes zjarreve". OBSH-ja tani po ndihmon autoritetet shëndetësore të identifikojnë nevojat e menjëhershme të vendit për furnizim me oksigjen, duke supozuar një rritje prej 20% deri në 25% mbi nevojat përpara përshkallëzimit të krizës javën e kaluar.
"Pavarësisht sfidave të krijuara nga situata aktuale, po punohet për të siguruar furnizimin me pajisje mjekësore të lidhura me oksigjenin dhe furnizime për trajtimin e traumave. Për të arritur këtë qëllim - deklaruan Tedros dhe Kluge - OBSH-ja po kërkon në mënyrë aktive zgjidhje për të rritur furnizimet që ndoshta do të përfshinin importin e oksigjenit nga rrjetet rajonale. Këto furnizime do të kishin nevojë për një tranzit të sigurt, edhe nëpërmjet një korridori logjistik përmes Polonisë.

 

Epidemia e coronavirusit dhe gjendja e vaksinimeve

Edhe epidemia e coronavirusit po ngre gjithashtu kokën në territorin ukrainas. Sipas të dhënave të OBSH-së për Evropën, Ukraina ka numëruar pak më pak se 150 mijë infeksione në 7 ditët e fundit. Incidenca mesatare për 100 mijë banorë u ul me 29% javën e fundit (rreth 341 raste/100 mijë); 1558 vdekje janë regjistruar, gjithmonë, në 7 ditët e fundit. Sipas të dhënave të disponueshme në Our World in Data, rreth një e treta e 44 milionë banorëve të Ukrainës janë vaksinuar plotësisht kundër coronavirusit SARS-CoV-2, ose 15.22 milionë njerëz që nga 23 shkurti. Ndërsa sipas raportimeve të ndryshme në media, mbulimi me vaksinim në ushtrinë e vendit ka arritur në 99.3%. Ukraina nuk e njeh vaksinën ruse Sputnik V, ndërsa Rusia nuk njeh vaksinat e prodhimit perëndimor të administruara në Ukrainë. Kështu, ekziston rreziku që me pushtimin rus, të krijohen probleme edhe në kapacitetin gjurmues të virusit.
"Dyshoj se nuk do të marrim më shumë të dhëna nga Ukraina", tha eksperti i Qendrës për Sigurinë Shëndetësore të Shkollës së Shëndetit Publik të Bloomberg, Universiteti Johns Hopkins, Eric S. Toner, edhe sepse "spitalet dhe departamentet shëndetësore lokale nuk e kanë këtë prioritet". Të plagosurve nga lufta, të infektuarve nga Covidi, u shtohen edhe pacientët e shumtë tashmë të sëmurë, për të cilët mungesa e barnave mund të jetë vdekjeprurëse. Rreziku që mungesa e barnave të përkeqësohet është gjithnjë e më real, por OBSH-ja ka ndërmarrë veprime urgjente: "Ne do të vazhdojmë të ofrojmë kujdes shëndetësor dhe të mbështesim njerëzit në të gjithë Ukrainën e prekur nga kjo krizë" dhe për këtë qëllim janë bllokuar 3.5 milionë dollarë të fondeve urgjente për dërgimin e materialit mjekësor në vend, njoftoi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Ghebreyesus, duke thënë se ai është "thellësisht i shqetësuar për shëndetin e popullit ukrainas në përshkallëzimin e krizës" dhe kërkon "një akses të qëndrueshëm dhe të sigurt për të garantuar ndihmën humanitare".

 

Përgatiti për botim:
Blerina Çizmja


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC