nën62020
Psoriaza. Terapia lokale në forma të lehta. Këshillat e farmacistit
Psoriaza është një sëmundje kronike inflamatore e shkaktuar nga një mosfunksionim i sistemit imunitar dhe e karakterizuar nga forma të ndryshme lezionesh. Nuk është ngjitëse dhe shkaku kryesor nuk dihet ende. Është ende e paqartë nëse kjo është sëmundje autoimune apo ka ndonjë faktor shkaktar. Sëmundja arrin kulmin në moshën 20-30 vjeç dhe 50-60 vjeç. Në 30% të rasteve ekziston edhe një tendencë familjare, ndërsa një rol të rëndësishëm e luajnë faktorët e mjedisit. Psoriaza lidhet me disa sëmundje bashkëshoqëruese: depresioni, rreziku i shtuar kardiovaskular, diabeti i tipit 2. Është e nevojshme të hetohet për periudhën e shfaqjes së sëmundjes, nëse ka kruarje, për mënyrën e shpërndarjes së lezioneve në lëkurë dhe karakteristikat e tyre. Psoriaza mund të përkeqësohet nga përdorimi i disa barnave (inhibitorët ACE, betabllokuesit...). Në shumicën e rasteve, ekspozimi në diell përmirëson simptomat.
Simptomat: pllaka dhe njolla të lokalizuara
Forma më e zakonshme është psoriaza me pllaka, e karakterizuar nga pllaka me ngjyrë rozë-salmon, të rrethuara dhe të trashura, të mbuluara me skuama të bardha-ngjyrë argjendi. Njollat zakonisht janë simptomatike dhe të lokalizuara në lëkurën e kokës, trungut, gjymtyrëve. Më së shumti lokalizohen në vijën e flokëve dhe pas veshëve. Psoriaza mund të lokalizohet edhe në nivelin e thonjve me onikolizë dhe hiperkeratozë subunguale. Përfshirja e thonjve është parashikuese e artritit psoriatik pasues. Në njolla, funksioni bakterial i lëkurës është i dëmtuar. Në vlerësimin e ashpërsisë së sëmundjes, përveç shtrirjes së sipërfaqes së prekur, duhet të merren parasysh faktorë të tjerë si prania e artritit psoriatik dhe efektet në stilin e jetës.
Këshillat e farmacistit, të vlefshme në forma të lehta
Farmacisti nuk mund të trajtojë forma të moderuara dhe të rënda, as raste në të cilat ka një përfshirje të nyjeve (artrit psoriatik). Terapia lokale është zgjidhja e parë për trajtimin e psoriazës së lehtë. Në lezionet e lëkurës, aplikohen kremra dhe vajra, ndërsa në lëkurën e kokës përdoren locione. Shpesh, nuk është i mjaftueshëm një princip aktiv i vetëm, ndaj zakonisht kombinohen dhe alternohen barna të ndryshme, për të pakësuar pasojat e efekteve anësore. Zbutësit janë të dobishëm në një trajtim fillestar sepse lagështojnë dhe zbutin lëkurën, favorizojnë shkëputjen e skuamave dhe nuk ndërveprojnë me barnat. Para se të aplikohet ndonjë trajtim tjetër është e preferueshme të përdoren produkte keratolitike që heqin skuamat, duke lehtësuar depërtimin e përbërësve të tjerë aktivë në lëkurë. Më të përdorur janë acidi salicilik (2-10%), ureja (10-50%), dhe acidi laktik. Kortikosteroidet kanë veprim antiinflamator dhe pengojnë përhapjen e keratinociteve. Mjafton vetëm një aplikim në ditë.
Alessandra Margreth
Burimi:
"Inquadramento clinico e gestione dei disturbi minori in farmacia", nën kujdesin e Corrado Giua Marassi, Botimet Edra