Farmaci

dhj312020

Karcinoma e fshikëzës urinare. Mbijetesë më e mirë me avelumabin pas kimioterapisë

Avelumabi, një frenues i pikave të kontrollit (checkpoint), ka treguar se përmirëson ndjeshëm mbijetesën te pacientët me llojin më të zakonshëm të kancerit të fshikëzës urinare, atë me qeliza uroteliale, sipas rezultateve të një studimi të botuar në "New England Journal of Medicine". "Kimioterapia me bazë platini është trajtimi standard i linjës së parë për karcinomën uroteliale të avancuar. Sidoqoftë, mbijetesa pa përparim dhe mbijetesa e përgjithshme janë të kufizuara nga rezistenca ndaj kimioterapisë. Kjo është hera e parë që një studim klinik mbi terapinë imune ka treguar një përfitim mbijetese në karcinomën metastatike të fshikëzës", shpjegon Thomas Powles, nga Universiteti "Queen Mary" i Londrës, i cili drejtoi grupin e punës.

Studiuesit vlerësuan efikasitetin e avelumabit te pacientët me karcinomë uroteliale lokalisht të përparuar ose metastatike, sëmundja e të cilëve nuk kishte përparuar pas kimioterapisë. Një numër i përgjithshëm prej 700 pacientësh nga mbi 200 qendra anembanë botës u përzgjodhën në mënyrë rastësore pas përfundimit të kimioterapisë, për të marrë terapinë më të mirë mbështetëse, ose terapinë standard, ose avelumabin, që i shtohet terapisë standarde. Kështu, grupi i trajtuar me avelumab tregoi një ulje prej 31% të rrezikut të vdekjes krahasuar me pacientët vetëm me terapinë standard dhe një mbijetesë mesatare të përgjithshme prej 21.4 muajsh, krahasuar me 14.3 muaj në grupin e kontrollit. Efektet anësore ishin në përputhje me pritshmëritë për imunoterapinë dhe 11% e pacientëve e ndërprenë medikamentin, për shkak të problemeve të lidhura me trajtimin.

Sipas ekspertëve, tani ekziston një mundësi reale që kjo terapi të ndryshojë praktikën e zakonshme për pacientët. "Në Britaninë e Madhe, falë rezultateve të këtij studimi, është e pranishme një skemë  e qasjes së hershme (EAMS) për avelumabin për pacientët me karcinomë të fshikëzës së urinës, që kanë përfituar nga kimioterapia", thotë Powles. Gjithashtu, bazuar në rezultatet e marra në Shtetet e Bashkuara, Administrata e Ushqimit dhe e Barnave (FDA) e ka miratuar avelumabin për trajtimin mbajtës të pacientëve me karcinomë uroteliale lokalisht të avancuar ose karcinomë uroteliale metastatike, që nuk ka përparuar me kimioterapinë e linjës së parë që përmban platin.

 

NEJM 2020. Doi: 10.1056/NEJMoa2002788
https://doi.org/10.1056/NEJMoa2002788


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC