jan112021
Plakja e trurit. Përdorimi i neurotrofinave si një qasje terapeutike
Një mundësi për të luftuar plakjen e trurit mund të vijë nga neurotrofinat, një familje proteinash të vogla që luajnë rol themelor në rregullimin e rritjes së aksoneve dhe diferencimit të neuroneve. Më e bollshmja nga këto, neutrofina, faktori neurotrofik me prejardhje nga truri, BDNF (brain-derived neurotrophic Factor), luan rol thelbësor gjatë zhvillimit cerebral, pasi mbështet mbijetesën dhe diferencimin e popullatave të neuroneve në sistemin nervor qendror dhe periferik, rregullon sinaptogjenezën, transmetimin dhe plasticitetin sinaptik, si dhe përfshihet në mekanizmat e të mësuarit dhe kujtesës. Kuptohet, pra, se pse u propozua verifikimi i mundësisë për përdorimin e BDNF-së ekzogjene si një qasje terapeutike ndaj sëmundjeve neurodegjenerative; një mundësi interesante, por që paraqet disa probleme.
Vështirësia e parë lidhet me sasinë e BDNF-së që mund të arrijë në tru. Një sasi shumë e ulët mund të mos jetë e mjaftueshme për të prodhuar efektet e dëshiruara, ndërsa një përqendrim shumë i lartë mund të jetë në mënyrë paradoksale i dëmshëm. Është gjithashtu i diskutueshëm fakti që BDNF-ja është në gjendje të kalojë barrierën hematoencefalike. Duke patur parasysh faktin se deri më sot nuk ka terapi vërtet efektive të afta të bllokojnë proceset e vdekjes së neuroneve që qëndrojnë në themel të sëmundjeve neurodegjenerative, mundësia e përdorimit të faktorëve neurotrofikë si BDNF-ja për qëllime terapeutike meriton të hulumtohet. Në këtë drejtim, një studim i kryer nga studiuesit e Universitetit të Piemontes Lindore synonte të verifikonte nëse përdorimi i BDNF-së me dozë të ulët të aktivizuar kinetikisht në mënyrë sekuenciale (Bdnf SKA) ishte në gjendje të kundërvepronte ndaj disa prej mekanizmave që qëndrojnë në bazë të proceseve të degjenerimit dhe plakjes së indeve nervore përmes intensifikimit të mekanizmave mbrojtës endogjenë. Në veçanti, studimi verifikoi dhe ishte në gjendje të konfirmonte in vitro potencialin e përthithjes intestinale të BDNF-së dhe aftësinë e tij për të kaluar barrierën hematoencefalike.
Hulumtimi eksploroi gjithashtu veprimin lokal të BDNF SKA-së mbi qelizat në kulturë, në një shtresë të vetme, duke demonstruar se si formulimi me përqendrim të ulët kishte patur një efekt më të madh krahasuar me përqendrimet më të larta, duke arritur të mbante prodhimin e ROS-it brenda kufijve fiziologjikë dhe të shtonte proliferimin e astrociteve. BDNF SKA-ja ishte më efektiv se BDNF-ja në përqendrime më të larta edhe në luftimin e dëmit të shkaktuar nga stresi oksidativ. Vëzhgimet e bëra në këtë studim tregojnë se BDNF SKA-ja është në gjendje të induktojë prodhimin e BDNF-së endogjene, duke përdorur receptorin TrkB dhe duke ndikuar në shprehjen e apolipoproteinës E, theksojnë autorët. Gjithashtu, ka rezultuar se BDNF SKA-ja është në gjendje të ushtrojë një efekt mbi beta amiloidin dhe sirtuinën, duke konfirmuar hipotezën se mund të ketë një aktivitet rregullator endogjen në ruajtjen e shëndetit të astrociteve dhe neuroneve.
Tërësia e vëzhgimeve të kryera gjatë studimit i shtyn autorët të hedhin hipotezën e një roli të mundshëm për BDNF-në si një agjent terapeutik i aftë për të modifikuar një mjedis të dëmtuar cerebral dhe për të nxitur shërimin gjatë sëmundjeve demielinizuese dhe çrregullimeve të tjera degjenerative.
Me kontributin e pakushtëzuar të GUNA-s
Claudio Molinari, Vera Morsanuto, Sara Ruga, Felice Notte, Mahitab Farghali, Rebecca Galla and Francesca Ubert, The Role of BDNF on Aging-Modulation Markers Brain Sci. 2020, 10, 285; Doi: 10.3390/brainsci10050285