shk22021
Barnat. Gjatë vitit 2020, në Evropë mungonin 200 barna. Më pak barna kardiovaskulare në dispozicion
Në 12 muajt e fundit, mungesa e barnave në Evropë është përkeqësuar: mbi 200 barna kanë rezultuar më pak të disponueshme në 65% të vendeve. Më të padisponueshmet janë ato për sëmundjet kardiovaskulare (92%), të ndjekura nga vaksinat (88.4%). Këto janë rezultatet e një sondazhi të kryer nga PGEU (Grupi Farmaceutik i Bashkimit Evropian) mbi ndikimin e mungesës së barnave në Evropë nga këndvështrimi i farmacistëve.
65% e vendeve konfirmuan se situata është përkeqësuar në krahasim me vitin 2019. Për të përballuar këtë situatë, përdoret zëvendësimi me barin ekuivalent (80% e vendeve), ose importi i barit nga një vend ku është i disponueshëm (50%), ose prokurimi nga burime alternative të autorizuara, siç janë farmacitë e tjera (46%). Sidoqoftë, disa nga këto zgjidhje janë të kufizuara, mund të jenë të vështira dhe të marrin kohë. Mesatarisht, koha që i kushton stafit të farmacisë administrimi i mungesës së barnave është 6.3 orë në javë.
Pothuajse të gjitha vendet (96%), theksuan se mungesa e barnave u shkakton shqetësime të mëdha pacientëve dhe se ndërprerja e trajtimit (80%) dhe kostot e rritura të alternativave më të shtrenjta ose të parimbursuara (57%) perceptohen si pasoja negative të mungesës së barnave mbi pacientët. 23% raportuan gjithashtu se në vendin e tyre nuk ka sistem raportimi të mungesës së barnave për farmacistët, të cilët e marrin shumicën e sinjalizimeve nga agjencitë e barnave (65%), prodhuesit (57%) dhe tregtarët me shumicë (50%).