kor142023
Vitamina D dhe infarkti. Zbulohen efektet mbrojtëse
Marrja e vitaminës D mund të reduktojë rrezikun për ngjarje serioze kardiovaskulare, si infarkti, te njerëzit mbi 60 vjeç, sipas një studimi klinik të botuar në "British Medical Journal". Studimi, i koordinuar nga Rachel Neale nga Instituti i Kërkimeve Mjekësore QIMR Berghofer, në Australi, është prova më e madhe klinike e këtij lloji e zhvilluar deri më sot.
Qëllimi i këtij studimi ishte të verifikonte nëse marrja e dozave mujore të vitaminës D e ndryshonte ose jo shkallën e ngjarjeve serioze kardiovaskulare. Studimi D-Health u krye gjatë periudhës 2014-2020 dhe përfshiu 21,315 australianë të moshës 60-84 vjeç, të cilët morën një kapsulë 60,000 IU vitaminë D (10,662 pjesëmarrës) ose një placebo në rrugë orale në fillim të çdo muaji për 5 vite me rradhë (10,653 pjesëmarrës). Për të identifikuar ngjarjet kardiovaskulare, përfshirë edhe: infarktin, iktusin dhe rivaskularizimin koronar (trajtim për të rivendosur rrjedhën normale të gjakut në zemër) u përdorën të dhënat e marra nga pjesëmarrësit për hospitalizimet dhe vdekjet gjatë periudhës së studimit. Kohëzgjatja mesatare e trajtimit ishte 5 vjet. Gjatë studimit, 1,336 pjesëmarrës përjetuan një ngjarje serioze kardiovaskulare (6.6% në grupin e placebos dhe 6% në grupin e vitaminës D).
Shkalla e ngjarjeve serioze kardiovaskulare ishte 9% më e ulët në grupin e vitaminës D sesa në grupin placebo (ekuivalente me 5.8 më pak ngjarje për 1000 pjesëmarrës). Shkalla e infarktit ishte 19% më e ulët dhe shkalla e rivaskularizimit koronar ishte 11% më e ulët në grupin e vitaminës D, por, nuk u vu re asnjë ndryshim në shkallën iktusit midis dy grupeve. Gjetjet sugjerojnë se plotësimi me vitaminë D mund të reduktojë rrezikun për ngjarje të mëdha kardiovaskulare.
"Ky efekt mbrojtës mund të jetë më i theksuar te subjektet që marrin statina ose barna të tjera për sëmundjet kardiake", përfundojnë autorët.