Farmaci

mar252021

Barnat e hipertrofisë prostatike mund të reduktojnë rrezikun e sëmundjes së Parkinsonit

Një studim i botuar në "Jama Neurology" tregon se përdorimi i përbërësve që shtojnë glikolizën, siç është terazosina, zakonisht e përshkruar për hipertrofinë e prostatës, lidhet me një ulje të rrezikut për sëmundjen e Parkinsonit te burrat. "Sëmundja e Parkinsonit është një sëmundje neurodegjenerative e shkaktuar nga nivele të reduktuara të dopaminës, simptomat e së cilës përkeqësohen me kalimin e kohës duke shkaktuar komplikacione, që përfshijnë çrregullime të lëvizjes, vështirësi në të folur, përtypje dhe gëlltitje", thotë bashkautori Jacob Simmering, profesor i asociuar i mjekësisë së brendshme në Universitetin e Iouas, duke kujtuar se mungesa e dopaminës mund të shkaktojë edhe simptoma jo-motorike, mes të cilave depresion, demencë, dobësi dhe çrregullime të gjumit.

Në një përpjekje për të gjetur mundësi alternative nga terapitë aktuale anti-Parkinson, një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga studiues të Universitetit të Iouas, bazuar në studimet e mëparshme, sipas të cilave shtimi i stresit oksidativ, tipik në Parkinsonin e hershëm çon në metabolizëm të dëmtuar të glukozës, ka krahasuar efikasitetin e barnave për hipertrofinë e prostatës që shtojnë glikolizën, si: terazosina, doxazosina dhe alfuzosina, me atë të tamsulozinës, bar me të njëjtat indikacione, që nuk e shton glikolizën. Për këtë qëllim, autorët analizuan të dhëna nga tre regjistra shëndetësorë kombëtarë danezë nga janari 1996, deri në dhjetor 2017.

Gjithashtu, nga janari 2001 deri në dhjetor 2017 ka hyrë në analizë edhe baza e të dhënave Truven Health Analytics Marketscan në SHBA, me një numër të përgjithshëm prej 52,365 çiftesh të përshtatura në grupin danez dhe 94,883 në grupin Truven. Rezultatet tregojnë se në të dyja grupet, njerëzit e trajtuar me përbërjet pro-glikolitike kishin më pak të ngjarë të zhvillonin sëmundjen e Parkinsonit sesa ata që merrnin tamsulozinë. "E shprehur në përqindje, krahasuar me ato të trajtuara me tamsulozinë, subjektet që marrin pro-glikolitikë kishin një rrezik 12% më të ulët për të zhvilluar Parkinson në grupin danez dhe një rrezik 37% më të ulët në grupin Truven", thotë Simmeringu. "Duke pasur parasysh natyrën vëzhguese të studimit, kërkohen kërkime të mëtejshme për të konfirmuar që barnat që rrisin glikolizën mund të vonojnë sëmundjen e Parkinsonit", përfundon ai.


JAMA Neurology 2021. Doi: 10.1001/jamaneurol.2020.5157
http://doi.org/10.1001/jamaneurol.2020.5157 


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC