pri212021
Antipsikotikët shtojnë rrezikun për mbipeshë dhe diabet
Midis efekteve anësore të antipsikotikëve, barnave të përdorura në trajtimin e sëmundjeve të tilla si skizofrenia, çrregullimi bipolar dhe sëmundje të tjera psikiatrike të karakterizuara nga iluzione, halucinacione dhe sjellje maniake, është edhe shtimi në peshë që çon në mbipeshë dhe një ndjeshmëri e ndryshuar ndaj insulinës, e cila nga ana tjetër rrit rrezikun e shfaqjes së diabetit. Por, lajmi i vërtetë është se sa më efektivë të jenë antipsikotikët, aq më shumë ka të ngjarë të keni shqetësime metabolike përsa i përket mbipeshës, diabetit të tipit 2 dhe hipertensionit.
Kjo ka dalë nga një studim i botuar në revistën "Pharmaceuticals", i cili analizoi efektet e antipsikotikëve të gjeneratës së dytë, të ashtuquajturit atipikë, kryer nga Universiteti i Pizës në bashkëpunim me Universitetin L'Aquila dhe Qendrën Max Delbruck për Mjekësinë Molekulare në Berlin. "Shtimi në peshë është shenja dalluese e përdorimit të këtyre antipsikotikëve, të cilët në fakt ndërveprojnë me homeostazën e glukozës dhe të yndyrave, duke vepruar kryesisht në hipotalamus, mëlçi, qelizat beta të pankreasit, indet dhjamore dhe muskujt skeletorë", shpjegon Marco Scarselli, profesor i Farmakologjisë në Universitetin e Pizës, duke nënvizuar se nga të gjithë përbërësit aktivë, ai që rrezikon më shumë është klozapina, i cili është gjithashtu përbërësi me efikasitetin më të madh psikoaktiv.
Përkundrazi, shpjegon një shënim nga Universiteti i Pizës, antipsikotikët e rinj të gjeneratës së dytë, të tillë si ziprasidoni, lurasidoni dhe agonisti i pjesshëm aripiprazoli, tolerohen më mirë përsa i përket profilit metabolik. "Sidoqoftë, studime të shumta klinike kanë treguar se psikoedukimi, ushtrimet fizike dhe dieta janë efektive në parandalimin ose në zbutjen e efekteve të pafavorshme metabolike në subjektet e trajtuara me antipsikotikë. Dhe, për fat të mirë, nëse rezultatet e këtyre programeve rezultojnë të pakënaqshme, janë në dispozicion disa opsione farmakologjike, përfshirë metforminën, e cila deri më tani është shfrytëzuar kryesisht në pacientët psikiatrikë që kanë zhvilluar shtim në peshë ose ndryshime metabolike", përfundon Scarselli.
Pharmaceuticals 2021. Doi: 10.3390/ph14030238
https://doi.org/10.3390/ph14030238