sht62021
Covid-19. Asnjë përfitim i rëndësishëm nga hidroksiklorokina. Studimi në SHBA
Mos e përshkruani më hidroksiklorokinën për Covid-19! Kjo u kërkua nga studiuesit e Kolegjit të Mjekësisë Schmidt në Florida Atlantic University, në një koment të botuar në "The American Journal of Medicine". Në vitin 2021, vetëm në Shtetet e Bashkuara, kishte më shumë se 560,000 përshkrime të këtij medikamenti, madje edhe në formë parandaluese kundër sëmundjes, por provat shkencore të përditësuara, thonë studiuesit, mbështesin idenë që këto përshkrime duhet të ndalen.
Ekspertët kanë shqyrtuar studimet kryesore me përzgjedhje rastësore, double blind, të kontrolluara me placebo dhe kanë paraqitur një metaanalizë të përditësuar të përshkrimit të hidroksiklorokinës në profilaksinë pas ekspozimit, ashtu si edhe në pacientët e shtruar në spital. Vitin e kaluar, të njëjtët studiues bënë thirrje për një moratorium mbi përshkrimin e hidroksiklorokinës në parandalim ose trajtim, në pritje të rezultateve që vinin nga studimet me përzgjedhje rastësore, që po zhvilloheshin ndërkohë.
"Studimet me përzgjedhje rastësore, të përditësuara, vëren Charles H. Hennekens, autor i artikullit, ofrojnë mbështetje edhe më të fortë për ndërprerjen e përshkrimit të hidroksiklorokinës në parandalimin ose trajtimin e Covid-19". Autorët thonë se përveç mungesës së përfitimeve të rëndësishme, studimet e reja me përzgjedhje rastësore tregojnë mundësinë e dëmtimit. Ata shpjegojnë se profili i mëparshëm i sigurisë i hidroksiklorokinës është i zbatueshëm për pacientët me lupus dhe artrit reumatoid, kryesisht, gra të reja dhe të moshës së mesme, te të cilat, rreziqet për rezultate kardiake fatale për shkak të barit, janë shumë të ulëta.
Përkundrazi, rreziqet për pacientët me Covid janë dukshëm më të larta, sepse komplikacionet kardiovaskulare fatale nga ky medikament janë shumë më të larta te të moshuarit sesa te njerëzit me sëmundje ekzistuese të zemrës ose faktorë predispozues. "Vdekjet e parakohshme dhe të shmangshme, përfundon Hennekensi, do të vazhdojnë të ndodhin nëse njerëzit marrin hidroksiklorokinë dhe shmangin strategjitë e shëndetit publik me përfitim të provuar, të tilla si vaksinimet dhe pajisjet mbrojtëse, siç janë maskat".