Farmaci

shk22022

Vaksinat m-ARN. Një teknologji e re na afron me administrimin oral

Në një studim të botuar në Matter, një ekip studiuesish nga MIT-i në Boston përshkruan një metodë që mund t'u japë mundësi molekulave të ARN-së të futen në një kapsulë që do të gëlltitet, një zgjidhje që duket optimale për administrimin e vaksinave kundër COVID-19, por edhe për të tjera terapi të bazuara në ARN ose ADN, të cilat mund të përdoren për të trajtuar më lehtë sëmundje të tilla si ulcerat.

"Acidet nukleike, veçanërisht ARN-ja, mund të jenë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj degradimit, veçanërisht në sistemin e tretjes", shpjegon Giovanni Traverso (MIT dhe Brigham and Women's Hospital) i cili drejtoi ekipin. Për disa vite, laboratorët e MIT-it kanë zhvilluar mënyra të reja për të ofruar barna që mund të arrijnë në traktin gastrointestinal. Në vitin 2019, studiuesit projektuan një kapsulë që, pas gëlltitjes, është e aftë të injektojë barna të ngurta si insulina në mukozën e stomakut dhe, në vitin 2021, ata demonstruan se mund të përdornin kapsulën për të transportuar në stomak molekula të mëdha, siç janë antitrupat monoklonalë në formë të lëngshme. Më pas, ekspertët vendosën të provonin përdorimin e kapsulës për të transportuar acide nukleike. Për këtë studim, ata përdorën një lloj të ri nanogrimcash polimere të zhvilluara së fundmi, të përbërë nga polimere të quajtura poli (beta-amino estere).

Duke punuar me shkencëtarët në Novo Nordisk, ata përfshinë 50 mikrogramë mRNA në secilën kapsulë dhe administruan tre të tilla, me një sasi të përgjithshme prej 150 mikrogramësh ARN në stomakun e disa derrave, sasi kjo më e madhe se ajo që përmbajnë vaksinat kundër COVID-it. Në studimet e derrave, studiuesit zbuluan se proteina arriti me sukses rrugën e saj në qelizat e stomakut, por nuk gjetën prani diku tjetër në trup.
"Në të ardhmen, shpresojmë të rrisim përthithjen e ARN-së në organe të tjera, duke modifikuar përbërjen e nanogrimcave, ose duke administruar doza më të larta, por mund të jetë gjithashtu e mundur të gjenerohet një përgjigje e fortë imune duke e dërguar ARN-në vetëm në stomak", përfunduan ata.

 

Matter 2022. Doi: 10.1016/j.matt.2021.12.022
http://doi.org/10.1016/j.matt.2021.12.022


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC