shk282022
Tofacitinibi oral favorizon rritjen e flokëve te fëmijët me alopeci
Tofacitinibi oral, një frenues i janus kinazës (JAK; një grup enzimash të përfshira në procese të ndryshme inflamatore), nxiti ri-rritjen e flokëve në tre të katërtat te pacientët pediatrikë me alopeci areata (AA), sipas përfundimeve të një studimi të firmosur nga hulumtuesit në Universitetin e Kolorados në Aurora dhe botuar në Pediatric Dermatology.
"Një normë suksesi prej 73% është shumë e mirë", tha Cory Dunnick, profesor i dermatologjisë dhe drejtor i studimeve klinike, i cili koordinoi kërkimin mbi 11 pacientë pediatrikë të moshës 8-18 vjeç. Nga 11 pjesëmarrësit, gjashtë kishin alopeci universale me humbje të plotë të të gjithë flokëve dhe qimeve të trupit, një kishte alopeci totale me rënie të flokëve dhe katër kishin alopeci me pulla, me një kohëzgjatje mesatare të sëmundjes prej 6 vjetësh. Katër nga pjesëmarrësit kishin gjithashtu sëmundje shoqëruese që dihet se janë të lidhura me AA-në, si: dermatiti atopik, hipotiroidizmi autoimun dhe astma. "Pacientët janë trajtuar më parë me barna të tjera, përfshirë metotreksatin, prednisonin oral, triamcinolonin intralezional dhe kortikosteroidet lokale. Gjatë trajtimit me tofacitinib, 5 nga 11 pacientët morën gjithashtu trajtim lokal me steroide", shkruajnë autorët, duke thënë se meqenëse studimi ishte një rishikim retrospektiv, doza nuk ishte e standardizuar, edhe pse shumica e pacientëve merrnin 5-10 mg tofacitinib dy herë në ditë, për një kohëzgjatje mesatare trajtimi prej 32 muajsh. Në fund të trajtimit, 5 pacientë patën një rritje të plotë të flokëve, vetullave dhe qimeve të trupit, ndërsa të tjerët patën përgjigje jo të plota. "Një shqetësim i madh është mundësia e ngjarjeve të rëndësishme negative", thekson Dunnicku. Në këtë drejtim, PRAC-u, Komiteti i Sigurisë i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) ka nisur së fundmi një rishikim të sigurisë së frenuesve JAK, nxitur nga rezultatet e studimit A3921133, të kryer me tofacitinibin në artritin reumatoid.
Kështu, pacientët me rrezik kardiovaskular kishin më shumë gjasa të zhvillonin infarkt, ose iktus, ose kancer sesa ata që trajtoheshin me frenues TNF-alfa. Studimi tregoi gjithashtu se, krahasuar me frenuesit TNF-alfa, tofacitinibi shoqërohej me një rrezik të shtuar të vdekjes nga çdo shkak, infeksione të rënda dhe tromboemboli venoze.
Pediatric Dermatology 2022. Doi: 10.1111/pde.14855
http://doi.org/10.1111/pde.14855
https://www.aifa.gov.it/documents/20142/1621464/2022.02.11_com-EMA_EMA_avvia_revisione_inibitori_Janus_chinasi_IT.pdf