pri62022
Covid-19. Ivermektina nuk redukton rrezikun e shtrimit në spital, edhe nëse merret herët
Ivermektina, medikamenti antiparazitar i propozuar si një trajtim alternativ i mundshëm dhe me kosto të ulët për Covid-19, nuk ofron asnjë përfitim kundër infeksionit SarsCov2, edhe nëse përdoret në ditët e para pas fillimit të simptomave. Ky është përfundimi i një studimi që përfshiu disa institucione braziliane dhe që u botua në New England Journal of Medicine.
Hulumtimi përfshiu rreth 1300 njerëz, gjysma e të cilëve u trajtuan me ivermektinë brenda shtatë ditëve nga fillimi i simptomave dhe gjysma tjetër me placebo. Pacientët u ndoqën në 12 qendra shëndetësore braziliane dhe kishin të paktën një faktor që i ekspozonte ndaj rrezikut për të patur pasoja më të rënda të sëmundjes: moshë e madhe, diabet, hipertension, obezitet, sëmundje kardiovaskulare, kancer ose sëmundje të tjera dobësuese.
Trajtimi, i cili zgjati tre ditë dhe u administrua krahas trajtimeve konvencionale, nuk shfaqi përfitime domethënëse: 11.6% e pacientëve të trajtuar kishin nevojë për shtrimin në spital, krahasuar me 14% të atyre që morën placebo, një ndryshim shumë i vogël për të pasur vlerë statistikore. E njëjta gjë vlen edhe për vdekjet: 3.1% në grupin e ivermektinës, kundrejt 3.5% në grupin placebo. Gjithashtu, përsa i përket uljes së ngarkesës virale, ditëve të shtrimit në spital, nevojës për ventilim të asistuar, nuk u konstatuan dallime mes dy grupeve.
"Në këtë studim me përzgjedhje rastësore, administrimi i ivermektinës nuk rezultoi në një incidencë më të ulët të shtrimeve në spital, ose në një periudhë më të shkurtër në dhomën e urgjencës për pacientët Covid-19 me rrezik të lartë për sëmundje serioze", shkruan ata.