sht32024
Menopauza. Të dhëna të reja pozitive për medikamentin Elinzanetant
Elinzanetant po paraqitet si një opsion terapeutik premtues në përmirësimin e cilësisë së jetës te gratë në menopauzë, duke i përballuar me efikasitet simptomat vazomotore dhe çrregullimet e gjumit të lidhura me të. Ai ka treguar se redukton ndjeshëm shpeshtësinë dhe ashpërsinë e simptomave vazomotore te gratë në menopauzë brenda javës së 12-të, duke përmirësuar më tej çrregullimet e gjumit dhe të cilësisë së jetës të lidhura me menopauzën. Bari ka treguar se zotëron edhe një profil sigurie të favorshëm, duke e kthyer në një opsion terapeutik të mundshëm për gratë që përballen me këto simptoma shqetësuese.
Metodologjia
Studimi u bazua në dy studime klinike të fazës 3, të randomizuara, dyfish të verbra dhe të kontrolluara me placebo (OASIS 1 dhe 2), të kryera në 77 qendra në SHBA, Evropë, Kanada dhe Izrael. Në të u përfshinë gjithsej 796 pjesëmarrëse në fazën postmenopauzës, në moshat 40-65-vjeçare, që vuanin nga simptomat vazomotore mesatare-të rënda. Pjesëmarrëset morën 120 mg elinzanetant ose një placebo një herë në ditë për 12 javë e më pas duke kaluar në një trajtim të vazhdueshëm me elinzanetant për 14 javë të tjera.
Rezultatet
Rezultatet kryesore të matura përfshinin ndryshimet në shpeshtësi dhe ashpërsi të simptomave vazomotore që nga nisja e trajtimit deri në javën e 4-t dhe 12-të, duke përdorur një ditar elektronik mbi afshet e nxehtësisë.
Elinzanetanti e reduktoi ndjeshëm shpeshtësinë e simptomave vazomotore, që në javën e 4-t në studimet klinike OASIS 1, me reduktime të mëtejshme brenda javës së 12-të.
Rezultatet sekondare përfshinin ndryshimet në çrregullimet e gjumit dhe në cilësinë e jetës së lidhur me menopauzën, të vlerësuara duke përdorur metodën PROMIS SD SF 8b dhe MENDQOL. Ky medikament i përmirësoi ndjeshëm edhe çrregullimet e gjumit, me reduktime të dukshme në rezultatet totale të PROMIS SD-SF 8b në javën e 12, si edhe cilësinë e jetës së lidhur me menopauzën, siç tregohet nga rezultatet e ulëta të MENQOL.
Implikimet klinike
Sipas autorëve të studimit, këto rezultate kanë implikime të rëndësishme nga ana klinike pasi simptomat vazomotore shpesh ndikojnë ndjeshëm në shëndetin e përgjithshëm, në aktivitetet e përditshme, në gjumë, në cilësinë e jetës dhe në performancën e punës të individëve në menopauzë.