Farmaci

shk162024

Barnat antidepresive. Mbështetja e inteligjencës artificiale për parashikimin e efikasitetit në terapi

Një studim i ri, i publikuar në American Journal of Psychiatry, evidenton se falë përdorimit të inteligjencës artificiale, mund të përcaktohet brenda një jave nëse një antidepresiv është efikas, apo jo për pacientët e prekur nga depresioni i rëndë.

Për momentin nuk ekziston asnjë metodë parashikimi për të përcaktuar efikasitetin e një trajtimi antidepresiv. Zakonisht, pacienti e merr barin dhe më tej, efekti i tij vlerësohet pas 6-8 javësh (ndonjëherë edhe pas disa muajsh). Nëse simptomat nuk përmirësohen, kalohet në një antidepresiv tjetër dhe ky proces mund të përsëritet disa herë. Shpesh, për këtë qasje standarde, duhen javë të tëra, madje edhe muaj, që të arrihen rezultate të dukshme. Kjo shkakton edhe kosto shoqërore, pasi pacienti nuk mund të marrë pjesë plotësisht në jetën shoqërore, ndërkohë që vuan nga simptoma depresive të rënda. Me ndihmën e një algoritmi të inteligjencës artificiale, një skanimi të trurit dhe të informacioneve klinike të pacientëve, studiuesit e UMC në Amsterdam, mundën të vlerësonin brenda një jave efektin antidepresiv të sertralinës, një prej barnave të përshkruara më gjerësisht në SHBA dhe Evropë.

Në një studim të mëparshëm të kryer në SHBA, u vlerësuan të dhënat klinike dhe skanimet MRI te 229 pacientë të prekur nga depresioni i rëndë, para dhe pas një jave nga trajtimi me sertralinë ose placebo. Më pas, studiuesit e Amsterdamit zhvilluan dhe aplikuan një algoritëm te këto të dhëna për të përcaktuar nëse do të ishte e mundur të parashikohej përgjigjja e trajtimit farmakologjik.

Metoda e re mundëson përmirësimin cilësor të terapisë së pacientit.
Analiza ka treguar se 1/3 e pacientëve iu përgjigj barit, ndërsa 2/3 e tyre jo. "Pra, përmes kësaj metode mund të shmangim 2/3 e përshkrimeve të gabuara të sertralinës dhe mund të ofrojmë terapi më cilësore për pacientin. Algoritmi sugjeroi që fluksi i gjakut në korteksin cingulat anterior (zona e trurit përgjegjëse për rregullimin e emocioneve) do të parashikonte efektivitetin e barit.  Në matjen e dytë, një javë pas fillimit, ashpërsia e simptomave doli se ishte një tjetër faktor parashikues", shpjegojnë autorët. Një në tre pacientë depresivë, nuk shfaq përmirësim të simptomave edhe pas disa fazash trajtimi. Prandaj, ekziston një nevojë urgjente për zgjidhje që mundëson përcaktimin më të shpejtë të efektivitetit të antidepresivëve në depresionin e rëndë. Në të ardhmen, studiuesit do ta përmirësojnë algoritmin duke shtuar më shumë informacione dhe kjo metodë e re mund të ndihmojë kështu në personalizimin më të mirë të trajtimit me sertralinë për pacientin, duke kursyer gjithashtu kostot sociale.

https://ajp.psychiatryonline.org/doi/10.1176/appi.ajp.20230206


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC