kor132022
Covid-19. Statinat ulin rrezikun për shtrim në spital
Pacientët që marrin statina për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare mund të kenë një rrezik më të ulët të hospitalizimit nga Covid-19 në krahasim me individët që nuk i marrin këto barna. Në këtë përfundim ka arritur një studim i ri i botuar në Journal of the American Heart Association.
Studimi, i cili përfshiu afërsisht 2 milionë pacientë që përdorin statina dhe një numër çift individësh që nuk i përdorin këto barna, zbuloi një rrezik 16% më të ulët të hospitalizimit nga COVID-19 tek ata që ishin përdorues të statinave.
Për të ekzaminuar ndikimin e barnave në rrezikun e hospitalizimit nga Covid-19, dr. Mahmoud Zureik, autori kryesor i studimit dhe kolegët e tij të Universitetit Paris-Saclay iu drejtuan informacioneve të Sistemit Kombëtar Francez të të Dhënave Shëndetësore.
Në analizë morën pjesë 2,058,249 pacientë që merrnin vetëm statina për parandalimin parësor të sëmundjeve kardiovaskulare dhe një grup kontrolli me të njëjtin numër jo përdoruesish që u përputhën me secilin prej përdoruesve të statinave sipas: lindjes, gjinisë, zonës së banimit, hipertensionit, diabetit ose problemeve kronike respiratore.
Pjesëmarrësit e studimit kishin një moshë mesatare 69 vjeç dhe pak më pak se gjysma ishin burra, të gjithë me një histori të Covid-19.
Përdoruesit e statinave kishin një rrezik dukshëm më të ulët të shtrimit në spital nga COVID-19 sesa jo përdoruesit (raporti i rregulluar i rrezikut, 0.84). Studiuesit gjetën rezultate të ngjashme kur analizuan vdekjen në spital nga Covid-19.
Lidhja u vu re për të gjitha llojet e statinave: atorvastatin, simvastatin, rouvastatin, pravastatin dhe fluvastatin.
Studimi konfirmon indikacionet që janë shfaqur tashmë në studimet e mëparshme, por asnjë, deri më tani, nuk ka qenë një studim kaq i madh rast-kontroll mbi të gjithë pacientët që kishin pasur një infeksion të konfirmuar Sars-CoV-2.
Një përgjigje inflamatore është normale dhe mbrojtëse, thonë autorët, por kur është e tepruar mund të shkaktojë dëme. Statinat mund të zvogëlojnë përgjigjen e tepërt inflamatore të shkaktuar nga infeksioni nga coronavirusi, shtojnë ata dhe kjo duket se është e lidhur me një shkallë më të ulët të komplikimeve te pacientët me Covid-19.
"Ka pasur një literaturë të gjerë që nga fundi i viteve 1990 që tregon se statinat kanë efekte antiinflamatore", tha Zureiku në një intervistë për Reuters Health. "Studime të tjera kanë treguar se vazhdimi i statinave tek individët me SARS dhe MERS ka sjellë rezultate negative më të ulëta". Ndonëse, ai saktëson: "Dëshiroj të theksoj se vëzhgimi i lidhjes ndërmjet përdorimit të statinave dhe hospitalizimit nga COVID-19 nuk përfaqëson domosdoshmërisht një lidhje shkakësore".