kor192022
Integrimi me kolekalciferol gjatë shtatzënisë redukton rrezikun e ekzemës te pasardhësit
Marrja e suplementeve të vitaminës D gjatë shtatzënisë mund të zvogëlojë rrezikun e ekzemës atopike te pasardhësit, sipas një studimi nga Universiteti i Southamptonit, Britani, të publikuar në British Journal of Dermatology.
"Ekzema atopike është një gjendje inflamatore kronike që mund të ketë një ndikim të madh te të rinjtë që vuajnë, familjet dhe kujdesi shëndetësor. Në dekadat e fundit ka pasur një rritje globale të sëmundjes dhe aktualisht vlerësohet se një në gjashtë fëmijë të moshës 1-5 vjeç vuan nga kjo sëmundje", thotë autorja kryesore e studimit Sarah El-Heis, e cila së bashku me kolegët e saj zbuluan se foshnjat kishin një rrezik më të ulët të zhvillimit të ekzemës atopike në vitin e parë nëse nënat e tyre merrnin 1000 njësi (UI) të vitaminës D çdo ditë nga java e 14-të e shtatzënisë deri në lindje. Në mënyrë të detajuar, efekti mbrojtës u vu re kryesisht te foshnjat që më pas u ushqyen me gji për më shumë se një muaj.
Studimi, i kryer nga studiuesit e Medical Research Council Lifecourse Epidemiology Center, në bashkëpunim me kolegët e NIHR Southampton Biomedical Research Center, është prova e parë e kontrolluar me përzgjedhje rastësore për të demonstruar një rrezik të reduktuar të ekzemës atopike te foshnjat e lindura nga nëna të cilat gjatë shtatzënisë kanë marrë suplemente të vitaminës D.
Në studim morën pjesë mbi 700 gra shtatzëna, nga të cilat 352 u trajtuan me suplemente nga java e 14-të deri në momentin e lindjes dhe 351 me placebo. "Qëllimi ynë ishte të shihnim nëse marrja e 1000 UI kolekalciferol si suplement gjatë shtatzënisë mund të zvogëlonte rrezikun e ekzemës atopike te fëmijët dhe nëse ushqyerja me gji kishte ndonjë efekt", shkruajnë studiuesit, duke deklaruar se mundësitë për të zhvilluar ekzemë atopike u reduktuan vetëm deri në 12 muaj. "Ne nuk gjetëm asnjë efekt në 24 dhe 48 muaj, gjë e cila sugjeron një rol të faktorëve të tjerë pas lindjes, apo nevojën për të vazhduar integrimin te pasardhësit edhe në periudhën pas lindjes për një efekt të qëndrueshëm, përfundon El-Heis.
British Journal of Dermatology 2022. Doi: 10.1111/bjd.21721
https://doi.org/10.1111/bjd.21721