Mirëqenie

nën32022

Vitamina D në shtatzëni. Studimi kinez sqaron efektet

Marrja e suplementeve të vitaminës D gjatë shtatzënisë mund të shoqërohet me rritje të gjatësisë së humerusit (HL) në uterus, por gjithashtu me gjatësi më të madhe të të porsalindurit dhe shton përqendrimin e 25-hidroksi-vitaminës D [25 (OH) D] në gjakun e kordonit umbilikal.

Këto, janë përfundimet e një studimi të publikuar në PLoS One, të nënshkruar nga një grup studiuesish kinezë dhe të koordinuar nga Yixin Guo nga Universiteti i Sichuanit, Republika Popullore e Kinës.

"Nga të dhënat tona, nuk ka dalë asnjë tregues i efekteve afatgjata në rritjen e pasardhësve", shkruajnë autorët, duke shpjeguar se jo vetëm që nuk është ende e qartë nëse plotësimi me vitaminë D gjatë shtatzënisë është i dobishëm për shëndetin dhe rritjen e kockave të fetusit, por ende nuk ka asnjë marrëveshje as për dozën e duhur që duhet të administrohet, dhe as në cilën periudhë të shtatzënisë duhet të fillojë ky plotësim.

Për të hetuar këtë temë, studiuesit kryen një rishikim sistematik mbi efektet e suplementeve të vitaminës D gjatë shtatzënisë në zhvillimin e kockave dhe rritjen e foshnjës, duke vlerësuar parametrat e ndryshëm të fetusit dhe përmbajtjen minerale të kockave (BMC), densitetin mineral kockor (BMD), gjatësinë e femurit (FL) dhe humerusit (HL), gjatësinë, peshën dhe perimetrin e kokës, përveç përqendrimit prej 25 (OH) D.

Hulumtimi nxori 23 prova të kontrolluara, të përzgjedhura në mënyrë rastësore, me 5390 pjesëmarrëse gjithsej, të cilat treguan se plotësimi me vitaminë D gjatë shtatzënisë shoqërohet nga njëra anë me një rritje të HL-së në tremujorin e tretë dhe nga ana tjetër me një rritje të konsiderueshme të gjatësisë në lindje, si dhe një përqendrim më të lartë të 25 (OH) D në kordonin umbilikal. Por jo vetëm kaq: analiza e nëngrupit zbuloi se shtimi i vitaminës D në tremujorin e dytë dhe të tretë u shoqërua me një rritje të konsiderueshme të peshës dhe gjatësisë së fetusit në lindje.

"Këto rezultate hapin rrugën për prova të mëtejshme të cilat duhet të ndiqen për një periudhë më të gjatë kohe, për të hetuar efektet e plotësimit me vitaminë D në shtatzëni", përfundon Yixin.

 

PLoS One 2022. Doi: 10.1371/journal.pone.0276016
http://doi.org/10.1371/journal.pone.0276016


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC