tet282024
Vitamina D dhe shëndeti kardiometabolik
Plotësimi i vitaminës D mund të ndikojë pozitivisht në shëndetin kardiometabolik dhe jo vetëm kaq, vitamina D gjithashtu mund të parandalojë zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe rreziqet e lidhura me to. Këto janë përfundimet e një metaanalize të publikuar në Engineering nga një grup studiuesish të koordinuar nga Simin Liu nga Universiteti Brown në SHBA, në të cilin thuhet se punonjësit e kujdesit shëndetësor, përfshirë farmacistët, duhet që suplementet e vitaminës D t'i përshtatin duke u bazuar në karakteristikat individuale të pacientëve në mënyrë që të mund të përmirësojnë efektivitetin e ndërhyrjes dhe të reduktojnë prevalencën e sëmundjeve kardiometabolike.
Sipas autorëve, pavarësisht progresit për parandalimin dhe terapitë, sëmundjet kardiovaskulare mbeten shkaku kryesor i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në botë. Suplementet me vitamina dhe minerale përdoren gjerësisht edhe për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare, dhe në mënyrë të veçantë vitamina D, e cila ka tërhequr vëmendjen vitet e fundit. Vitamina D merret nga dieta ose nga suplementet, në formën e vitaminës D3 (kolekalciferol) ose D2 (ergokalciferol). Megjithatë, nga organizmi vitamina D mund të sintetizohet në lëkurë si D3, përmes ekspozimit të moderuar ndaj diellit.
Studime të shumta vëzhguese kanë demonstruar një lidhje domethënëse të ndërsjelltë midis niveleve të vitaminës D në qarkullim dhe një rreziku në rritje për sëmundje kardiovaskulare, si dhe inflamacionit subklinik, mosfunksionimit endotelial, hipertensionit, diabetit dhe dislipidemisë. Për më tepër, receptorët bërthamorë të vitaminës D janë identifikuar te qelizat endoteliale dhe kardiomiocitet, duke sugjeruar një lidhje midis niveleve të vitaminës D dhe rrezikut për sëmundje kardiovaskulare. Edhe pse, vlen për t'u përmendur se studimet me përzgjedhje rastësore mbi efektivitetin klinik të plotësimit të vitaminës D në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare kanë prodhuar rezultate kontradiktore.
Efektet e vitaminës D në shëndetin kardiometabolik
Për të analizuar më tej këtë lidhje, Liu dhe kolegët kryen një metaanalizë në të cilën përfshinë 99 prova klinike, për një total prej 17,656 personash 6-75 vjeç. Studiuesit vunë re se një dozë e vitaminës D e barabartë me 3,320 njësi ndërkombëtare në ditë do të çonte në përfitime në faktorë të ndryshëm rreziku kardiometabolik, si reduktimi i presionit sistolik dhe diastolik të gjakut, kolesterolit total, sheqerit në gjak gjatë agjërimit dhe niveleve të hemoglobinës së glikuar. Përveç kësaj, studiuesit zbuluan se plotësimi i vitaminës D ofron përfitime të rëndësishme te njerëzit me nivele bazë të 25-hidroksivitaminës D më pak se 15 ng/mL, atyre me një indeks të masës trupore më pak se 30 kg/m2 dhe individëve mbi 50 vjeç. Megjithatë, sipas autorëve, nevojiten studime të mëtejshme për të vlerësuar efektet dhe rreziqet afatgjata që lidhen me plotësimin e vitaminës D në doza të larta.