tet132022
Acidi folik ul rrezikun për vetëvrasje. Studimi shpjegon efektet cerebrale
Përshkrimi i acidit folik mund të ofrojë një qasje të sigurt dhe efektive për uljen e tentativave për vetëvrasje.
Pas përshtatjes për faktorët e shumtë ngatërrues, rezultatet e një studimi të madh epidemiologjik të barnave treguan se marrja e acidit folik shoqërohet me një reduktim prej 44% të tentativave për vetëvrasje.
Në psikiatri, roli i folateve si formë natyrale, e paoksiduar e vitaminës B9, është i njohur prej më shumë se një dekadë. Folatet mund të përmirësojnë efektet e antidepresivëve dhe mungesa e tyre mund të jetë parashikues i një përgjigje më të dobët ndaj frenuesve selektivë të rimarrjes së serotoninës (SSRI).
Edhe pse kërkimet e mëparshme kanë treguar një lidhje midis acidit folik, formës së oksiduar të folateve dhe tentativave për vetëvrasje, rezultatet e deritanishme kanë qenë jokonkluzive duke pasur parasysh se ato kanë ardhur nga studime përgjithësisht me ndikim të ulët ose nga studime të vogla vëzhguese.
Studiuesit përdorën një grup prej 866,586 të rriturish (81.3% gra, 10.4% e te cilave mbi 60 vjeç) të cilët morën një recetë për acid folik në periudhën 2012-2017.
Më shumë se gjysma e recetave të acidit folik shoqëroheshin me çrregullime të dhimbjeve. Përafërsisht 48% e tyre kishin vetëm një dozë prej 1 mg në ditë, e cila është kufiri i sipërm i toleruar për të rriturit, duke përfshirë gratë shtatzëna dhe ato në laktacion. Dozat e tjera ditore të monoterapisë që varionin nga 0,4 mg në 5 mg përbënin 0,11% të recetave. Pjesa tjetër (më shumë se 50% e recetave) e merrnin acidin folik nëpërmjet multivitaminave.
Pjesëmarrësit u ndoqën për 24 muaj. Analiza krahasoi përpjekjet për vetëvrasje ose ngjarje të vetëdëmtimit të cilat dolën si rezultat i vizitave ambulatore ose shtrimit në spital gjatë periudhave të trajtimit me acid folik kundrejt periudhave pa trajtim.
Gjatë periudhës së studimit, shkalla e përgjithshme e ngjarjeve ishte 133 për 100,000 persona, që është rreth një e katërta e shkallës së raportuar në popullatën e përgjithshme nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë (600 për 100,000 banorë).
Pas përshtatjes për moshën, gjininë, diagnozat që lidhen me sjelljet vetëvrasëse, mungesën e acidit folik dhe marrjen e ndonjë medikamenti që ul nivelin e folateve, raporti i rrezikut të vlerësuar (HR) për vetëvrasjet ose tentativat për vetëvrasje gjatë marrjes së acidit folik ishte 0.56, kjo tregon një ulje të rrezikut me 44%.
Studiuesit përjashtuan nga analiza gratë shtatzëna, por morën rezultate të krahasueshme. Analiza e ndjeshmërisë tregoi se çdo muaj trajtimi shoqërohej me një ulje prej 5% në shkallën e ngjarjeve të vetëvrasjes.
Kjo do të thotë se sa më gjatë të merret acidi folik, aq më i madh është përfitimi, duke treguar, sipas studiuesve, një lidhje të vërtetë midis trajtimit dhe rezultatit të vëzhguar.
Studiuesit vlerësuan gjithashtu një grup kontrolli negativ prej 236,610 individësh që përdorën cianokobalaminë gjatë periudhës së studimit. Cianokobalamina është një formë e vitaminës B12 thelbësore për metabolizmin, sintezën e qelizave të gjakut dhe sistemin nervor, nuk përmban acid folik dhe përdoret zakonisht për trajtimin e anemisë. Rezultatet nuk treguan asnjë lidhje midis cianokobalaminës dhe tentativave për vetëvrasje.
"Reduktimi me 44% i tentativave për vetëvrasje mund të jetë në fakt një nënvlerësim, pasi analizon vetëm njerëzit që kanë marrë një recetë, acidi mund të merret në mënyrë të sigurt përmes produkteve pa recetë pa kërkuar një indikacion të specializuar", tha autori kryesor i studimit Robert D. Gibbons, nga Universiteti i Çikagos.
"Acidi folik është i sigurt, jo shumë i kushtueshëm dhe përgjithësisht i disponueshëm, dhe nëse provat e perzgjedhura në menyrë rastësore të kontrolluara me placebo konfirmojnë shkakësinë e kësaj lidhjeje, ne do të kishim një mjet të ri terapeutik. Pasja e një mjeti të tillë do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme pasi vetëvrasja është një krizë globale shëndetit publik", përfundon Gibbons.