Farmaci

jan242023

Shurupet e kontaminuara. Alarmi i OBSH-së për Europën: përmbajnë sasi të dëmshme substancash toksike

OBSH-ja në Europë ka raportuar qarkullimin e dy shurupeve për kollën dhe simptomat e ftohjes dhe gripit që përmbajnë sasi të papranueshme të substancave të dëmshme

 

Zyra rajonale e OBSH-së në Evropë ka raportuar qarkullimin e dy shurupeve për kollën dhe simptomat e ftohjes dhe gripit që nuk plotësojnë standardet dhe specifikimet e cilësisë: të dyja përmbajnë sasi të papranueshme të dietilen glikolit dhe/ose etilen glikolit, substanca toksike për njerëzit të cilat, nëse konsumohen, mund të rezultojnë fatale. "Produktet e përmendura nuk janë të sigurta dhe përdorimi i tyre, veçanërisht te fëmijët, mund të çojë në lëndime serioze ose vdekje", paralajmëron OBSH-ja në Europë.

Sasi të papranueshme eksipientësh. Efektet toksike

Alarmi nga OBSH-ja në Europë ka të bëjë me shurupet Ambronol dhe Dok-1 Max të zbuluar në Uzbekistan dhe të raportuar në OBSH më 22 dhjetor 2022. Analizat e kryera në mostrat e produkteve nga laboratorët kombëtarë të kontrollit të cilësisë të Ministrisë Uzbeke të Shëndetësisë zbuluan se të dyja shurupet kanë në përmbajtjen e tyre sasi të papranueshme të dietilen glikolit dhe/ose etilen glikolit, substanca toksike për njerëzit të cilat, nëse konsumohen, mund të rezultojnë fatale. Prodhuesi i pretenduar i të dyja produkteve është Marion Biotech Pvt. Ltd, (Uttar Pradesh, Indi) dhe deri më sot nuk i ka dhënë asnjë garanci OBSH-së për sigurinë dhe cilësinë e këtyre produkteve.

Të dyja shurupet mund të kenë autorizime marketingu edhe në vende të tjera të rajonit evropian dhe "nëpërmjet tregjeve informale, mund të jenë shpërndarë edhe në disa vende apo rajone të tjera". Apeli i agjencisë për ata që i kanë këto produkte është që "të mos i përdorin ato".

"Nëse dikush ka përdorur" shurupet "dhe ka zhvilluar reaksione ose ka përjetuar ngjarje të padëshiruara pas përdorimit, duhet të konsultohet menjëherë me një mjek dhe ta raportojë incidentin tek autoriteti rregullator kombëtar ose te Qendra Kombëtare e Farmakovigjilencës". Efektet toksike mund të përfshijnë: dhimbje barku, të vjella, diarre, pamundësi për të urinuar, dhimbje koke, ndryshim të statusit mendor dhe dëmtim renal akut që mund të çojnë deri në vdekje, thuhet në alarm.

Rritja e mbikëqyrjes brenda zinxhirëve të furnizimit

Kohët e fundit, OBSH-ja ka ngritur një alarm edhe për barna të tjera të lëngshme të kontaminuara: "Prodhuesit e formave të dozimit të lëngshëm, veçanërisht shurupeve që përmbajnë eksipientë, duke përfshirë propilen glikolin, polietilen glikolin, sorbitolin dhe/ose glicerinë/glicerolin, këshillohen të bëjnë testet e duhura për ndotës të tillë si: etilen glikoli dhe dietilen glikoli përpara përdorimit në medikamente".

Në njoftimin e ri të lëshuar nga Zyra Evropiane, ftohet që "të zbulohen dhe të hiqen nga qarkullimi këto produkte nën standard për të shmangur dëmtimin e pacientëve".

OBSH-ja bën thirrje për "mbikëqyrje dhe kujdes më të madh brenda zinxhirëve të furnizimit të vendeve dhe rajoneve që mund të preken nga këto produkte". Ajo rekomandon gjithashtu "mbikëqyrjen e shtuar të tregut informal/të parregullt". Dhe ftesa për autoritetet kombëtare rregullatore dhe shëndetësore është që "të informojnë menjëherë OBSH-në nëse produktet në fjalë zbulohen në vendin përkatës".


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC