Farmaci

shk22023

Përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve dyfishon rrezikun për sëmundjet inflamatore intestinale

Sipas një hulumtimi të ri të publikuar "Gut", përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve ndryshon rrënjësisht mikrobiomën intestinale, duke dyfishuar rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve inflamatore intestinale.

Sëmundjet inflamatore intestinale: sëmundja Crohn dhe koliti ulceroz

Sëmundjet inflamatore intestinale (IBD) janë sëmundje kronike me ndërmjetësim imunitar në intestin, të cilat përfshinë dy nëntipe kryesore: sëmundjen Crohn (MC) dhe kolitin ulceroz (UC). Në nivel global, IBD-ja ka prekur gati shtatë milionë individë, numër i cili është duke ardhur në rritje. IBD-ja mendohet të jetë rezultat i një ndërveprimi kompleks i faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë. Rreziku që i atribuohet secilit, megjithatë, duket se ndryshon me kalimin e kohës, pasi të rinjtë kanë më shumë mundësi të kenë një histori familjare pozitive të IBD-së krahasuar me të rriturit më të moshuar të cilët janë më të prirur të zhvillojnë IBD me fillim të ri. Prevalenca më e ulët e faktorëve të rrezikut gjenetik te të rriturit e moshuar me IBD thekson rolin e rëndësishëm që luan mjedisi ndërsa njerëzit plaken.

Përdorimi i antibiotikëve dhe rreziku për zhvillimin e IBD-së

Për të eksploruar këtë aspekt, studiuesit kanë analizuar të dhënat kombëtare mjekësore nga viti 2000 deri në vitin 2018 të qytetarëve danezë për të vlerësuar nëse përdorimi i antibiotikëve mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e IBD-së te njerëzit mbi 40 vjeç. Më shumë se 6.1 milionë njerëz u përfshinë në studim, ndër të cilët më shumë se gjysma e tyre ishin gra. Në mënyrë të përgjithshme, 5.5 milionë njerëzve (91%) iu është përshkruar të paktën një cikël antibiotikësh ndërmjet viteve 2000 dhe 2018. Gjatë kësaj periudhe janë diagnostikuar gjithashtu 36,017 raste të reja me kolit ulceroz dhe 16,881 raste të reja me sëmundjen Crohn. Rezultatet tregojnë se, krahasuar me mungesën e përdorimit të antibiotikëve, përdorimi i këtyre barnave shoqërohej me një rrezik më të lartë për zhvillimin e IBD-së, pavarësisht nga mosha. Edhe pse, sa më e madhe të ishte mosha, aq më i lartë ishte rreziku. Në veçanti, probabiliteti i rrezikut për zhvillimin e IBD-së u rrit me 48% në mesin e subjekteve 40-60 vjeç.

Rreziku më i lartë u vu re te individët që iu përshkruan 5 ose më shumë cikle antibiotikësh, rreziku dyfish më i lartë te ata 40-60 vjeç dhe rreziku 95% më i lartë te individët mbi 60 vjeç. Nitroimidazole dhe fluoroquinolones, të cilët zakonisht përdoren për trajtimin e infeksioneve intestinale, janë dy llojet e antibiotikëve që shtojnë rrezikun për IBD. Ata gjithashtu njihen si antibiotikë me spektër të gjerë, sepse prekin të gjitha mikrobet pa dallim, jo vetëm ato që janë shkaktare të sëmundjeve të ndryshme.

Antibiotikët ndryshojnë rrënjësisht përbërjen e mikrobiomës

Studiuesit theksojnë se "ky është një studim vëzhgues, dhe si i tillë, nuk mund të përcaktojë shkakun. Por, ekzistojnë disa shpjegime biologjike të besueshme për gjetjet, duke vënë në dukje se përdorimi i antibiotikëve çon në një ulje si në elasticitetin ashtu edhe në gamën e mikrobeve në mikrobiomën intestinale të lidhur me plakjen. Përveç kësaj, me cikle të përsëritur antibiotikësh, këto ndryshime mund të bëhen më të theksuar, duke kufizuar rikuperimin e mikrobiotës intestinale".

Lidhja midis ekspozimit ndaj antibiotikëve dhe zhvillimit të IBD-së nënvizon rëndësinë e menaxhimit të antibiotikëve si një masë e shëndetit publik dhe sugjeron që mikrobioma gastrointestinale është një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e IBD-ve, veçanërisht te të rriturit e moshuar.

 

Dr. Paolo Levantino
Farmacist klinik dhe gazetar shkencor

Burimi:
Gut Published Online First: 09 January 2023. doi: 10.1136/gutjnl-2022-327845


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC