gus282023
Statinat, një zgjedhje e mirë për fillimin e terapisë te të moshuarit
Sipas një studimi të botuar në "Annals of Internal Medicine", trajtimi me statina me intensitet të ulët deri në të moderuar lidhet me reduktime më të mëdha të niveleve të kolesterolit të lipoproteinave me densitet të ulët te të moshuarit, krahasuar me individët më të rinj në moshë. Për më tepër, ato mund të konsiderohen si trajtimi fillestar për të moshuarit në rrezik të lartë për ngjarje të padëshiruara.
"Ekziston një ndryshim i madh ndërmjet pacientëve që marrin statina në përgjigjen e kolesterolit LDL, duke përfshirë edhe moshën. Përqindja e pacientëve të moshuar po rritet në shoqëri, por, në veçanti njerëzit mbi 75 vjeç janë të nënpërfaqësuar në provat e kontrolluara me përzgjedhje rastësore", thotë Giulia Corn nga Statens Serum Institute, autore kryesore e studimit.
Për të eksploruar më tej këtë temë, studiuesit morën në konsideratë 83,958 pacientë që jetonin në Danimarkë, që kishin filluar terapinë me simvastatina ose atorvastatina, dhe për të cilët matjet e kolesterolit LDL ishin të disponueshme para dhe gjatë përdorimit barnave. Gjatë periudhës së studimit, simvastatina dhe atorvastatina ishin dy barnat që përbënin më shumë se 99% të përshkrimeve fillestare për kolesterolin në vend.
Ekspertët vlerësuan përgjigjet e statinave, të përcaktuara si reduktimi në përqindje i nivelit të kolesterolit LDL para nisjes së trajtimit dhe ndryshimet në përqindje të reduktimit (PRD) sipas moshës dhe dozës së simvastatinës ose atorvastatinës duke përdorur një model gjatësor për kolesterolin LDL.
Nga 83,958 individë që filluan terapinë me statina, 10,388 (12%) prej tyre ishin 75 vjeç ose më të vjetër. Gjatë trajtimit me statina me intensitet të ulët deri në mesatar, subjektet e moshës mbi 75 vjeç përjetuan reduktim më të lartë të kolesterolit LDL krahasuar me subjektet më të rinj se 50 vjeç, ose 39.0% kundrejt 33.8% për simvastatinën 20 mg dhe 44.2% kundrejt 40.2% për atorvastatinën 20 mg.
Autorët theksojnë se studimi ka disa kufizime që mund t'a bëjnë të pamundur përgjithësimin e tij, duke përfshirë një përqindje mesatarisht të lartë të të dhënave që mungojnë në krahasimin para-post vëzhgues, mungesën e informacionit mbi indeksin e masës trupore dhe faktin që popullata e studimit ishte kryesisht me ngjyrë të bardhë. Në anën tjetër, ata kujtojnë se dy pikat e forta të këtij studimi janë fakti u mor parasysh një popullatë e cila mbulon të gjithë kombin dhe se u përdoriën të dhënat e marra nga praktika dhe jo nga studimet klinike, të cilat zakonisht janë të kufizuara për pacientët më të rinj në moshë.
Annals of Internal Medicine 2023. Doi: 10.7326/M22-2643
http://doi.org/10.7326/M22-2643