shk82024
Farmaceutikë. AstraZeneca investon në SHBA për terapitë qelizore
AstraZeneca ka investuar 300 milionë dollarë në një strukturë të re në Meriland, SHBA për kërkimin dhe prodhimin e terapive qelizore. Shoqëria bioteknologjike botërore synon të përmirësojnë aftësitë e saj të kërkimit dhe të prodhimit të terapive qelizore. Struktura do të përqendrohet te prodhimi i terapive të qelizave T të sistemit imunitar për studime klinike dhe parashikohet të krijojë më shumë se 150 vende pune, shumë të specializuara.
Krijimi i pozicioneve shumë të specializuara të punës
"Ne jemi shumë entuziastë që së shpejti do të hapen më shumë se 150 vende të reja pune shumë të specializuara për të kryer punën tonë shkencore dhe terapitë në studime klinike të cilat mund të transformojnë jetën e pacientëve në mbarë botën. Ky investim i ri prej 300 milionë dollarësh, do të përshpejtojë arritjen e synimit tonë ambicioz për ta bërë realitet terapinë qelizore të gjeneratës së ardhshme, duke garantuar se jemi gati për të përmbushur kërkesat e pacientëve", deklaron Pam Cheng, zëvendëspresident ekzekutiv i Operacioneve Globale të AstraZeneca-s.
Guvernatori i Merilandit, Wes Moore, pohon: "Si AstraZeneca, ashtue edhe shteti i Merilandit janë shumë të angazhuara për novatorizëm. Kjo na bën kombinimin perfekt për këtë strukturë të terapisë qelizore të gjeneratës së ardhshme. Ky investim domethënës në sektorin tonë të shkencave jetësore, do ta bëjë Merilandin lider në sektor dhe do të përmirësojë avantazhin tonë konkurrues. Ne i jemi pafundësisht mirënjohës partneritetit me AstraZeneca-n dhe angazhimit të vazhdueshëm kundrejt shtetit tonë".
Terapitë qelizore për të luftuar më me efikasitet kancerin
Struktura e Rockville do të bëjë pjesë në rrjetin e gjerë botëror të prodhimit dhe furnizimit të AstraZeneca-s, i cili përfshin 30 struktura në 16 shtete. Operimet e kompanisë në SHBA nxisin punësimin e më shumë se 2.600 punonjësve me kohë të plotë dhe shpërndarjen më shumë se 9 miliardë doza barnash çdo vit.
Portofoli i terapive qelizore të AstraZeneca-s përqendrohet në aftësimin e qelizave T të sistemit imunitar për të luftuar kancerin në mënyrë më efikase. Ai përfshin terapi të ndryshme CAR-T në fazë zhvillimi, si AZD5851 për karcinomën hepatoqelizore dhe AZD6422 për tumoret e ngurta.
Përmes njësisë së saj Neogene Therapeutics, AstraZeneca po punon mbi terapitë e receptorëve të qelizave T (TCR-T) për tumoret e ngurta. Investimi në strukturën e Rockville është pjesë e strategjisë më të gjerë të AstraZeneca-s për të udhëhequr terapinë qelizore të gjeneratës së ardhshme dhe për të zgjeruar portofolin e saj të terapive qelizore onkologjike. Kjo përpjekje përfshin bashkëpunime me kompani, si: Quell Therapeutics, AbelZeta e Cellectis dhe blerjen e Neogene Therapeutics.
Për më tepër:
https://www.nasdaq.com/articles/astrazeneca-to-invest-$300-mln-in-new-facility-for-cell-therapies
https://www.investing.com/news/stock-market-news/astrazeneca-invests-300-million-in-maryland-facility-93CH-3294110