Farmaci

shk122024

Të dhënat e grumbulluara në Kinë: Kombinimi i barnave antivirale gjatë terapisë së Covid-19 redukton kohën e shërimit.

Sipas studimit të publikuar në "New England Journal of Medicine", administrimi i hershëm i simnotrelvirit (inhibitori oral i proteazës 3-kimotripsinë) së bashku me ritonavirin, ka reduktuar kohën e zhdukjes së simptomave te pacientët madhorë të prekur nga Covid-19 i lehtë-mesatar dhe pa probleme të dukshme sigurie.

Simnotrelviri konfirmohet si efikas dhe kushton më pak se Paxlovidi. Bari ka dalë tashmë në treg në Kinë, vend në të cilin ka marrë edhe autorizimin për përdorimin në urgjencë që prej fillimit të vitit 2023, me një çmim më të ulët krahasuar me konkurruesin e tij kryesor. Ky fakt e ka bërë antiviralin më popullor në vend. Sipas një prej autorëve të studimit, ai duket se kushton sa afro një e katërta e Paxlovidit. Të dhënat e reja, mund t'i shtyjnë autoritetet e vendeve të tjera ta aprovojnë barin, ndoshta pas kryerjes së studimeve klinike të tyre. Prova klinike e publikuar në Nejm zbuloi se simnotrelvir, i cili administrohet në një cikël pilulash, ka pothuajse efekt të menjëhershëm pas marrjes së tij, duke lehtësuar ethet, kollën dhe rrjedhjen e hundës.

"Duket qartë se ai është një bar i fuqishëm. Rezultati është dukshëm pozitiv dhe i mirëpritur", thotë Saye Khoo, farmakolog ekspert i sëmundjeve infektive, në Universitetin e Liverpulit, MB. Në fillim të pandemisë, barnat antivirale u testuan te pjesa më e madhe e individëve të rrezikuar nga Covid i rëndë. Aktualisht, OBSH rekomandon që vetëm ata që u përkasin grupeve me rrezik të lartë, të marrin antiviralë si Paxlovidi, pilula anti-Covid që përdoret në Itali, SHBA dhe shumë vende të tjera.

Megjithatë, koronavirusi Sars-CoV-2 "tashmë është shndërruar në një virus të zakonshëm të frymëmarrjes në popullsinë e përgjithshme", thotë bashkautori i studimit, Bin Cao, pneumolog në Spitalin e Miqësisë Kinë-Japoni në Pekin. Kjo është arsyeja pse ai dhe kolegët e tij vendosën të testojnë simnotrelvirin, veçanërisht te të rinjtë me nivele standarde të rrezikut.

Nivelet e Covidit janë reduktuar 30 herë krahasuar me placebon
Studiuesit kanë kombinuar simnotrelvirin me një përbërës të Paxlovid, ritonavirin, i cili kufizon degradimin e simnotrelvirit. Këtë kombinim e kanë testuar më shumë se 600 vetë të moshës mesatare 35 vjeç, afro gjysma e të cilëve kishin të paktën një faktor rreziku (si obezitetit). Asnjë prej pjesëmarrësve në studim nuk u prek rëndë nga Covidi. Brenda ditës së pestë nga trajtimit, nivelet e Sars-Cov-2 tek ata që e kishin marrë pilulën, u reduktuan me 30 herë, krahasuar me pjesëmarrësit që kishin marrë placebo.

Një ndër efektet anësore: rritja e nivelit të triglicerideve në gjak
Aftësia e simnotrelvirit për të përshpejtuar shërimin e personave me rrezik standard, të kujton antiviralin ensitrelvir, i cili mori miratimin e kushtëzuar në Japoni në nëntor 2022. Disavantazhet janë të ngjashme me ato të Paxloidit, si p.sh. shija e keqe dhe papajtueshmëria me një sërë barnash të zakonshme. Në veçanti, efekti anësor më i shpeshtë që verifikohet me incidencë më të madhe te grupi i simnotrelvirit, krahasuar me  grupin placebo, ishte shtimi i triglicerideve në gjak. Më tej, studiuesit iu kanë kërkuar pjesëmarrësve në studim të fillojnë trajtimin brenda 3 ditësh nga zhvillimi i simptomave: "një dritare kohe sfiduese për testime dhe ndërhyrje", thekson Khoo.

"Përsa i përket zgjerimit të përdorimit të tij, ekspertët theksojnë se shumë mjekë janë akoma më të shqetësuar për parandalimin e shtrimit në spital dhe vdekjen e njerëzve me rrezik të lartë. Kështu, ata mund të duan më shumë informacion përpara se të ndryshojnë zakonet e tyre të përshkrimit", thotë specialisti i sëmundjeve infektive William Schaffner nga Qendra Mjekësore e Universitetit Vanderbilt në Nashville, SHBA.

"Përfundimi është se ne mirëpresim çdo medikament të ri, por asnjë prej këtyre nuk e thotë fjalën e fundit përsa u përket antiviralëve Covid", përfundon Khoo.

Për më tepër:
https://www.nejm.org/doi/full/10.1056/NEJMoa2301425
https://www.nature.com/articles/d41586-024-00163-z


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC