maj92024
Stop duhanpirjes! Vareniklina dhe efikasiteti i saj.
Sipas një studimi të ri të publikuar në JAMA, vareniklina ka rezultuar më efikase nga terapia e kombinuar zëvendësuese e nikotinës (CNRT) me fasha dhe tableta, në momentin që përpjekja e parë për ndalimin e duhanpirjes nuk ka qenë e suksesshme. Gjithashtu, u zbulua se shtimi i dozës së trajtimit, i ka ndihmuar individët ta lënë duhanin fill pas një përpjekje të pasuksesshme me trajtimin farmakologjik.
Në studim u përfshinë 490 duhanpirës, të cilëve iu caktuan gjashtë javë trajtim në mënyrë rastësore, me vareniklinë ose CNRT. Studiuesit konstatuan se në fund të fazës së parë, ata që nuk arritën ta linin duhanin, u ricaktuan për të vazhduar, ndryshuar, apo shtuar dozën e barit edhe për gjashtë javë të tjera. Duhanpirësit që nuk arritën ta linin duhanin me vareniklinë në fazën e parë 6-javore, shfaqën shtatë herë më tepër probabilitet për ta lënë duhanin në fund të fazës së dytë nëse doza e barit rritej, në krahasim me ata që ndoqën planin e trajtimit fillestar.
Për më tepër, rezultoi se pacientët që nuk patën sukses me regjimin CNRT, kishin më shumë se dyfish probabilitet për ta lënë duhanin nëse kalonin te vareniklina, krahasuar me ata që vazhduan të provonin me CNRT. Pacientët, që mbajtën regjimin e tyre fillestar, apo që kaluan nga vareniklina në CNRT, shfaqën pothuajse zero mundësi për ta lënë duhanin.
"Këto të dhëna tregojnë se ndjekja e së njëjtës terapi, nuk është efikase për duhanpirësit që nuk patën sukses gjashtë javët e para të trajtimit. Studimi duhet t'i nxisë mjekët të ndjekin nga afër pacientët në fazat fillestare të rrugëtimit të tyre të lënies së duhanit dhe nëse ata kanë vështirësi, të provojnë qasje të reja, të tilla si shtimi i dozës së barit", përfundon autori kryesor i studimit Paul Cinciripini.