maj142018
Barnat për të lënë duhanin. Përfitimet tejkalojnë dëmin ndaj shëndetit kardiovaskular
Bupropioni dhe vareniklina, barnat që përdoren zakonisht për të ndihmuar në lënien e duhanit, nuk shtojnë rrezikun e ngjarjeve kardiovaskulare. Ky është rezultati i një studimi të fundit, ndërkohë që studime të mëparshme kanë prodhuar rezultate kontradiktore në lidhje me këto barna dhe me pasojat që ka shëndeti kardiovaskular prej përdorimit të tyre.
"Terapitë farmakologjike përmirësojnë rezultatet e përpjekjeve për të lënë duhanin, por janë ngritur shqetësime në lidhje me sigurinë kardiovaskulare të këtyre barnave", tha Neal Benowitz i Universitetit të Kalifornisë, autori kryesor i studimit. Në studimin origjinal EAGLES, hulumtuesit kanë përzgjedhur në mënyrë rastësore 8,058 pjesëmarrës të rritur të cilët dëshironin të linin duhanin, nga të cilët 44% ishin meshkuj, me moshë mesatare 46-vjeçare. Ata kanë marrë bupropion (150 mg dy herë në ditë), varenikline (1 mg dy herë në ditë), terapi zëvendësuese të nikotinës (21 mg/ditë patch me ulje progresive) ose placebo për 12 javë.
Midis këtyre individëve, mbi 4,500 morën pjesë në studimin shtesë pa trajtim, i cili zgjati 12 javë ndjekjeje dhe 28 javë shtesë, nga të cilat u përjashtuan pacientët me sëmundje akute ose të paqëndrueshme kardiovaskulare.
Në 52 javë, intervali para ngjarjeve të mëdha kardiovaskulare (infarkt miokardi ose iktus jofatale, ose vdekje për shkaqe kardiovaskulare) nuk ndryshonte shumë në të gjitha grupet. Normat e ngjarjeve të mëdha kardiovaskulare ishin të ulëta, më pak se 0.5% dhe nuk është vënë re asnjë efekt mbi frekuencën kardiake ose mbi presionin e gjakut. Nuk është gjetur asnjë dëshmi se përdorimi i terapive farmakologjike për të lënë duhanin rrit rrezikun e ngjarjeve të padëshirueshme kardiovaskulare gjatë ose pas trajtimit.
"Nga rezultatet tona del se në popullatën e përgjithshme të duhanpirësve, përfitimi që ka shëndeti kardiovaskular nga ana e terapisë së ndërprerjes së duhanit, tejkalon çdo rrezik të dëmtimit kardiovaskular të shkaktuar nga këto barna", përfundojnë autorët.
JAMA Intern Med. 2018. doi: 10.1001/jamainternmed.2018.0397
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29630702