kor22024
Tumori i gjirit. Komisioni Evropian miraton barin e ri për formën metastatike
Komisioni Evropian miraton kombinimin capivasertib-fulvestrant për trajtimin e pacienteve të rritura me tumor gjiri lokalisht të avanzuar, ose metastatik, pozitiv ndaj receptorit të estrogjenëve (ER-pozitiv) dhe negativ për HER2. Ky miratim vjen fill pas opinionit pozitiv të Komitetit të Barnave për Përdorim Njerëzor (CHMP) dhe bazohet në rezultatet e studimit CAPItello-291, të cilat tregojnë se ky kombinim e ka reduktuar me 50% rrezikun për përparim të kancerit apo për vdekje, krahasuar me trajtimin vetëm me fulvestrant në popullsinë me ndryshim të bioshënjuesve.
"Për pjesën më të madhe të pacienteve me tumor në gji, metastatik ndaj receptorëve hormonalë pozitivë, duhet të preferohen të paktën dy linja terapie endokrine, para se të kalohet te kimioterapia. Megjithatë, regjimet e trajtimit me bazë endokrine, të përdorura aktualisht, ofrojnë përfitim klinik modest në shumë raste dhe për këtë arsye, ekziston një nevojë urgjente për opsione të reja terapeutike, që garantojnë kontroll më të gjatë të sëmundjes", pohoi profesori i asociuar në Universitetin e Milanos, Alberto Zambelli. Në Evropë, tumori i gjirit përbën shkakun kryesor të vdekjes nga kanceri, me më shumë se 140.000 të vdekur në vitin 2022 dhe më shumë se 550.000 raste të diagnostikuara në po të njëjtin vit. Tumori i gjirit pozitiv ndaj receptorëve hormonalë (HR-pozitiv) është nëntipi më i zakonshëm i tumorit të gjirit, me 70% të tumoreve që konsiderohen HR-pozitive dhe HER-2 negative.
Ky miratim është një lajm i mirë për afro gjysmën e pacienteve me tumor gjiri ER-pozitiv në stad të avancuar në Evropë, të cilat zhvillojnë tumore me këto ndryshime specifike molekulare, si dhe është e nevojshme që onkologët t'i identifikojnë ato paciente që mund të përfitojnë nga ky kombinim.