sht162024
Mpox. OBSH parakualifikon vaksinën e parë kundër këtij virusi
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka parakualifikuar së fundmi vaksinën e parë kundër lisë së majmunit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në luftën kundër kësaj sëmundjeje. Vaksina, e emërtuar MVA-BN, u miratua për administrimin te individët 18 vjeç e lart, por mund të përdoret off-label edhe për të porsalindurit, fëmijët, adoleshentët, gratë shtatzëna dhe individët me imunitet të dobët. Ky vendim u bazua në rekomandimet e Grupit Këshillues të OBSH-së mbi Vaksinimet (SAGE).
Nëpërmjet tij, agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara, synon të përshpejtojë disponueshmërinë e vaksinës, duke lehtësuar qasjen në komunitetet që nuk kanë më nevojë për to. Ky kalim është thelbësor për reduktimin e transmetimit të virusit dhe për mbajtjen e epidemisë nën kontroll.
"Ky parakualifikim i parë i një vaksine kundër Mpox, përbën një hap të rëndësishëm në luftën tonë kundër sëmundjes, si për përballimin e epidemive aktuale në Afrikë, ashtu edhe për të ardhmen. Tani nevojitet një shtim urgjent i blerjeve, dhurimit dhe shpërndarjes së vaksinës, duke garantuar një qasje të barabartë ndaj popullsive që kanë më shumë nevojë", theksoi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Përshkallëzimi i rasteve të Mpox në Republikën Demokratike të Kongos dhe në vende të tjera afrikane e ka shtyrë OBSH-në ta deklarojë sërish infeksionin si një emergjencë shëndetësore publike ndërkombëtare (PHEIC). Që prej fillimit të epidemisë botërore në vitin 2022, më shumë se 120 vende kanë raportuar më shumë se 103.000 raste të konfirmuara me Mpox. Vetëm në 2024, u regjistruan 25.237 raste të dyshuara dhe të konfirmuara, si dhe 723 vdekje, të cilat lidheshin me epidemi të ndryshme në 14 shtete afrikane.
Vaksina MVA-BN mund të ruhet në temperaturën 2-8°C, për jo më shumë se 8 javë nga ruajtja e mëparshme në të ftohtë. Ajo administrohet në dy doza në një distancë prej katër javësh nga njëra-tjetra, por OBSH rekomandon edhe një skemë me një dozë të vetme në gjendje emergjence në rastin e mungesave të vaksinave. Vaksina u vlerësua se është 76% efikase me një dozë të vetme dhe 82% efikase me dy doza, nëse administrohet përpara ekspozimit ndaj virusit. Megjithatë, efikasiteti post-ekspozimit është më i ulët, krahasuar me vaksinimin parandalues.
Të dhënat mbi sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës rrjedhin nga studimet klinike dhe nga përdorimi real i produktit që prej vitit 2022. Parakualifikimi i OBSH-së bazohet në të dhënat e marra nga prodhuesi dhe nga një analizë e kryer nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).