tet12024
Alzheimeri. Medikamenti që ndez shpresat për trajtim
Më 6 korrik 2023, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi lecanemabin për trajtimin e pacientëve me demencë ose dëmtim të lehtë konjitiv të shkaktuar nga Alzheimeri. Në një studim të kryer së fundmi nga Instituti i Neuroshkencës në Louisville, një grup studiuesish trajtuan 71 pacientë me lecanemab nëpërmjet të cilit arritën rezultate premtuese si edhe zbuluan fusha të reja për përmirësim.
Lecanemabi është një antitrup monoklonal që lidhet me një afinitet të lartë me protofibrilet e tretshme beta-amiloide (Aβ), duke reduktuar shënjuesit e amiloidit dhe duke ngadalësuar rënien njohëse. Provat klinike të fazave II dhe III kanë treguar se ky medikament mund të reduktojë ndjeshëm rënien e funksionit konjitiv te pacientët me Alzheimer të hershëm. Në fazën e III të provës, 68% e pacientëve të trajtuar treguan pastrim të plotë të Aβ dhe një reduktim prej 27% të rënies së funksionit konjitiv pas 18 muajsh trajtim.
Në studimin aktual, shumica e pacientëve të trajtuar me lecanemab ishin kaukazianë, me një moshë mesatare 72 vjeç. Sëmundjet e zakonshme bashkëshoqëruese përfshinin hipertensionin, hiperkolesteroleminë dhe diabetin melit. 24% e pacientëve treguan anormalitete imazherike të lidhura me amiloiden (ARIA) në MRI-të e mbikqyrura, me shumicën e rasteve asimptomatike. Megjithatë, disa pacientë raportuan dhimbje koke, lodhje dhe çorientim.
37% e pacientëve raportuan efekte anësore pas infuzionit të parë të lecanemabit, ndër të cilat dhimbje koke dhe ethe. Dy pacientë patën reaksione të rënda të sjelljes pas marrjes së difenhidraminës për të trajtuar efektet anësore të infuzionit.
"Lecanemabi tolerohet mirë nga shumica e pacientëve me dëmtim të lehtë konjitiv dhe demencë dhe të lehtë të shkaktuar nga Alzheimeri. Duke qenë se janë identifikuar fusha të shumta për përmirësim dhe zbatimin e zgjidhjeve, përvoja e infuzionit të lecanemabit për pacientët është përmirësuar. Ofruesit e kujdesit që trajtojnë pacientët me barna anti-amiloide duhet të zgjedhin pacientët që kanë më shumë gjasa të përfitojnë nga trajtimi me një profil qartësisht pozitiv përfitim-rrezik", përfundojnë studiuesit.
J Prev Alz Dis, 2024 Sep 3. Doi: 10:14283/jpad.2024.159. Epub ahead of print.
https://link.springer.com/article/10.14283/jpad.2024.159