pri102019
Pse këshillohet spraji me kapsaicinë për rinitin dhe si përgatitet ai?
Kapsaicina është derivat i metabolizmit të një acidi yndyror mono të pasaturuar dhe dihidrokapsaicina është versioni i saj i saturuar. Këto janë metabolite sekondare të bimëve, ashtu si kapsaicinoidet e tjera. Ato prodhohen nga gjëndrat e pozicionuara ndërmjet paretit të frutit dhe placentës (indi ku mbështeten farat): sidomos kjo e fundit është e pasur me kapsaicinë, ndërsa farat, ndryshe nga sa mendohet zakonisht, janë të mbuluara në sipërfaqe nga kapsaicinoidet, por nuk kanë në brendësi. Kapsaicina dhe kapsaicinoidet janë alkaloidë tepër të qëndrueshëm: mbeten të pandryshuar për një kohë të gjatë, edhe pas gatimit dhe ngrirjes.
Kapsaicina u zbulua në vitin 1816 nga P.A. Bucholtz, që izoloi substancën pikante nga specat djegës të zbutur nëpërmjet tretësve organikë. Metoda, megjithatë, përdoret për të nxjerrë oleorezinën nga specat djegës. Në vitin 1846, L.T. Threshi e sintetizoi në formën e kristalinës dhe e pagëzoi me emrin kapsaicinë.
Sipas përmbajtjes së kapsaicinës, varietete të ndryshme të specit djegës janë klasifikuar në shkallën e matjes Scoville (SHU), që mund të variojnë nga 5.000 SHU që gjendet te speci djegës për skuqje, deri në 577.000 SHU te Red Savina Habanero. Së fundmi, janë kultivuar varietete që janë afro 1 milion SHU, duke qenë kështu më praktike për ekstraktimin e oleorezinës (mendohet se me një SHU të tillë, rreth 3% e peshës është kapsaicinë).
Përveç përdorimit si spraj për vetëmbrojtje, kapsaicina po studiohet së fundmi për efektet e saj kundër rinitit jo alergjik. Flasim për rinit jo alergjik kur gjatë diagnostikimit mjekësor, ndeshemi me simptoma të rrjedhjes së hundëve gjatë gjithë vitit, kongjestion dhe teshtima pa etiologji alergjike të identifikueshme ose të një natyre tjetër.
Ndryshe nga rinitet alergjike, rinitet idiopatike nuk kanë një bazë të qartë inflamatore: studime të fundit duket se i gjejnë shkaqet në një çrregullim nervor të mukozës nazale. Në këtë kontekst, aplikimi nazal i kapsaicinës duket se është, përveç të tjerash, gjithnjë e më i konfirmuar nga prova klinike, një alternativë e vlefshme për ata pacientë te të cilët, trajtimet standarde nuk kanë patur sukses.
Veprimi terapeutik i kapsaicinës ka në bazë desensibilizimin e TRPV1 dhe shterimin e substancës P. Kjo redukton hiperaktivitetin e mukozës nazale, duke u pasuar me reduktimin e simptomave.
Një efekt i tillë është i rëndësishëm pasi është vërtetuar se te pacientët me rinit idiopatik, receptorët vaniloidë të tipit 1 janë shprehur së tepërmi në mukozën nazale. Përveç kësaj, te pacientët vihet re një prani e substancës P (që stimulon sekrecionin e ujshëm) shumë më e madhe, në krahasim me normalen.
Një artikull i fundit (janar 2018, "Allergy") e ka konsideruar "bindës" efikasitetin e trajtimit me kapsaicinë për rinitin idiopatik, edhe pse dimë shumë pak për efektet e kapsaicinës në rastet e "rinitit të përzier".
Megjithatë, një rishikim nga Cochrane në vitin 2015 kishte përfunduar duke theksuar mundësinë e një trajtimi me bazë sprajin e kapsaicinës, me efekte që zgjatnin edhe deri në 36 javë pas përfundimit të trajtimit. Megjithatë, mungonin të dhënat përfundimtare mbi mënyrën e aplikimit dhe provat e kryera në kampionë më të gjerë.
Kapsaicina gjendet në formë fletësh drejtkëndore ose ciflash që kanë shije djegëse dhe që janë shumë të tretshme në alkool.
Efektet anësore të përdorimit të sprajit janë irritimi i mukozës me simptoma si kolla dhe skuqja e deri edhe djegia përvëluese e dhimbja.
Shembull formulues:
Vitaminë C, 100 mg
Eukalipt, 100 mg
Ekstrakt i rozmarinës, 50 mg
Kapsaicinë, 1 mg
Alkool, 100 ml
Glicerinë, 20 ml
Nipaginë, 0,1 gr
Ujë i purifikuar, aq sa nevojitet për 100 ml
Duhet vlerësuar sasia e lëngut për çdo shfryrje: në fakt, doza e përdorur në produkte varion nga 1 µg deri në 4 µg, për dozë shfryrjeje.
Shkrihet 100 mg kapsaicinë në 100 ml alkool. Nga ky solucion, tretet 1 ml në 20 ml glicerinë me ekstraktin e rozmarinës dhe të eukaliptit. Vihet në zjarr derisa të vlojë uji dhe më pas, tretet nipagina. Pas ftohjes, shtohet vitamina C dhe përzihet pak nga pak ky solucion me solucionin e principeve aktive.
Formulimi i këtij spraji konsiderohet recetë e papërsëritshme dhe nevojitet që në të gjitha letrat, dozimi i kapsaicinës të cilësohet helmues. Këshillohet përdorimi i pajisjeve mbrojtëse individuale si syzet dhe maskat me filtra karboni aktiv, për të shmangur irritimin e profesionistit nga menaxhimi i kapsaicinës.
Luca Guizzon, farmacist ekspert në fitoterapi
Burime:
Eur Arch Otorhinolaryngol. 1995;252 Suppl 1:S27-32.
Acta Otolaryngol. 1998 Mar;118(2):235-9.
Curr Allergy Asthma Rep. 2006 Mar;6(2):132-7.
J Allergy Clin Immunol. 2017 Aug;140(2):437-446.e2. doi:
J Allergy Clin Immunol. 2014 May;133(5):1332-9, 1339.e1-3. doi: 10.1016/j.jaci.2013.08.026. Epub 2013 Oct 15.
Allergy. 2018 Jan;73(1):248-250. doi: 10.1111/all.13245. Epub 2017 Aug 24.
Cochrane Database Syst Rev. 2015 Jul 14;(7):CD010591. doi: 10.1002/14651858.CD010591.pub2