sht132014
Kozmetika shton shitjet ne farmacitë italiane dhe Franca vëzhgon
Farmaci apo beauty-farm? Pyet shtypi francez pas publikimit të raportit të Kozmetikës italiane nga i cili del se në 5 vitet e fundit italianët kanë braktisur parfurmeritë duke favorizuar farmacitë për blerjet e tyre të kozmetikës. Në kërkimin e kryer nga Shoqata Kombëtare e Kompanive që prodhojnë kozmetikë të shitur në kanalin farmaci, përdoruesit janë shprehur se preferojnë ti drejtohen farmacistit për tu mirë këshilluar dhe për të kursyer. Në fakt prodhimet kozmetike kanë shpëtuar në njëfarë mënyre farmacitë italiane gjatë krizës duke trefishuar sasinë e shitjeve nga viti 2007 e deri më sot: "xhiroja në vitin 2007 ishte rreth 790 milionë euro" deklaroi
Vincenzo Maglione, zëvendëspresident i grupit Cosmetici Italia "tani prek lehtësisht dy miliardët! Shkalla e rritjes së shitjeve shkon në 8,7% në vit". Fenomeni është zgjeruar edhe për parafarmacitë, shtoi Maglione "sipas vlerësimeve tona 9,3% e parafarmacive ka ngritur një hapsirë për bukurinë dhe mirëqenien e cila sjell një xhiro prej 93 milionë euro». Për të kompensuar rënien në shitjet e barnave, pronarët italianë kanë pajisur më së miri repartin e kozmetikës: gjitmonë sipas sondazhit nga Cosmetica Italia, 10% kanë punësuar specialistë të kozmetikës dhe estetistë. Kanë krijuar një hapësirë me të paktën një poltron dhe një pasqyrë, ndërsa 300 farmaci kanë sakrifikuar edhe disa metra katrorë të sipërfaqes për të realizuar një kabinë estetike brenda farmacisë. E gjitha kjo për ti ofruar klientelës mundësinë e trajtimeve dermatologjike, anti-plakjes së fytyrës dhe për të bërë masazhe. Dhe tashmë ka farmaci të tilla të cilat si qendrat estetike propozojnë linjën e tyre të produkteve, ndonjëherë në garë të hapur me parfumeritë, sepse për përbërës të njëjtë aktivë "produktet janë dukshëm më pak të shtrenjta" shpjegoi Lisa Buonaroti, një farmaciste italiane "dhe klientët ndihen më mirë të këshilluar. Mendojnë se farmacisti i tyre, që në përgjithësi e shohin si një lloj mjeku, mund tu sugjerojë një produkt më efektiv dhe më të sigurt".