jan262015
Infertiliteti dhe përdorimi i hormoneve në raport me shfaqjen e tumoreve
Janë të pakta provat që tregojnë se përdorimi i hormoneve për stimulimin ovarian në trajtimin e infertilitetit shton riskun afatgjatë për kancer gjiri apo kancer gjinekologjik (Ca. uterusi, ovarial ose vaginal). Fakti pohohet nga një studim i prezantuar në Bavari gjatë mbylljes së takimit vjetor të ESHRE (European Society of Human Reproduction and Embryology).
Analiza retrospektivë përfshiu 12.193 gra të trajtuara për infertilitet në periudhën 1965-1988 dhe më pas vazhdoi me mbledhjen e të dhënave nga regjistrat e vdekjeve të shkaktuara nga tumoret. Barnat që rrisin nivelin e estradiolit dhe të progesteronit (si klomifeni, gonadotropina korionike, hormoni folikulo-stimulues) shihen si të lidhura me patogjenezën e kancerit te gratë, por pavarësisht besueshmërisë biologjike rezultatet e kërkimeve nuk përputhen njëra me tjetrën dhe numri i kampionëve të gjetur është i vogël. Kështu në rreth 25 vite follow-up u identifikuan 749 raste me Ca.mame, 119 endometrial dhe 85 ovarial.
Përdorimi i klomifenit nuk rezultoi i asociuar me një risk më të lartë për Ca.mame, përveç rasteve të grave të cilat i janë nënshtruar 12 ose më shumë cikleve me barnat e sipërpërmendura. Për këtë studim kohort nuk u vu re një rritje e numrit të Ca.endometrial apo ovarial. Vetëm 10% e pacienteve u trajtua me gonadotropinë (HCG dhe FSH), shpesh e kombinuar me klomifen dhe nuk u identifikua ndonjë lidhje me rrezikun për kancer. Në përgjithësi, duke pasur parasysh fuqinë statistikore të të dhënave, këto rezultate në ESHRE u përkufizuan si "përgjithësisht siguri-dhënëse".