kor62015
Një zgjidhje për kardiotoksicitetin nga antraciklina
Kardiotoksiciteti duket se është një fenomen i vazhdueshëm, që fillon me një disfunksion kardiak asimptomatik dhe evoluon, nëse nuk kurohet, drejt infarktit kardiak. Sipas një studimi të publikuar në revistën "Circulation" kardiotoksiciteti nga antraciklina, kemioterapi e përdorur kryesisht në tumorin e gjirit dhe limfomat, nuk është i pakthyeshëm. Përkundrazi, studiuesit e Institutit Evropian të Onkologjisë (IEO) në Milano, në bashkëpunim me kolegët e qendrës kardiologjike "Monzino" tregojnë se nëse diagnoza dhe trajtimi bëhen në kohën e duhur, është i mundur rikuperimi i funksionit kardiak.
"Kardiotoksiciteti është një komplikim që peshon negativisht në prognozën e pacientit onkologjik, pavarësisht nga neoplazia e bazës", shpjegon Daniela Caedinale, drejtore në Departamentin e Kardiologjisë në IEO dhe autore e parë e artikullit. Ajo nënvizon se deri më tani, toksiciteti kardiak vlerësohej si i pakthyeshëm sepse iu përgjigjej shumë pak barnave kardiologjike. Studimi i shtrirë në një periudhë prej 19 vjetësh, ka përfshirë mbi 2.625 pacientë të trajtuar me antraciklinë, me një kardiotoksicitet të shfaqur në thuajse të gjitha rastet gjatë 12 muajve të parë nga përfundimi i kemioterapisë.
Por, një monitorim i kujdesshëm i funksionit kardiak ka lejuar zbulimin dhe trajtimin në kohë të kësaj forme të kardiopatisë, duke lejuar normalizimin e funksionit kardiak në 82% të rasteve. "Rezultatet lëkundin bindjen antike se kardiotoksiciteti nga antraciklina është i pakthyeshëm dhe venë në diskutim klasifikimin e saj aktual në dy entitete të ndryshme: të parakohshme dhe të vonuar, kur infarkti i zemrës shfaqet para dhe pas vitit të parë nga përfundimi i kemioterapisë", shton studiuesja.
Në një editorial, John Groarke nga instituti "Dana Farber" në Boston, shkruan: "Shpresojmë që ky studim të frymëzojë të tjerë për të vlerësuar në mënyrë më sistemike funksionin kardiak te pacientët onkologjikë asimptomatikë. Kardio-onkologët kanë përgjegjësinë të nxisin kërkimin klinik në këtë drejtim përballë një numri në rritje të personave që duke pasur një tumor shfaqin risqe më të mëdha për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare të shkaktuara nga kurat kundër kancerit".
Circulation. 2015. doi: 10.1161/CIRCULATIONAHA.114.013777
Circulation. 2015. doi: 10.1161/CIRCULATIONAHA.115.016704