dhj32015
Anafilaksia nga hekuri intravenoz: risk më i madh nga produktet me bazë dekstrani
Në një studim të publikuar në revistën "Jama", Cunlin Wang nga Administrata e Barnave dhe Ushqimit në Merilend dhe kolegët kanë analizuar të dhënat e 688.183 pacientëve të trajtuar me hekur në rrugë intravenoze nga janari i vitit 2003 deri në dhjetor të 2013-ës, duke zbuluar se problemi më i rëndësishëm i sigurisë është risku për reaksione anafilaktike të rënda madje edhe fatale që mund të verifikohen si në administrimin e parë si në ato pasueset.
"Në vitin 2010 anemia preku një të tretën e popullsisë botërore dhe mungesa e hekurit ishte shkaku më i zakonshëm. Hekuri me administrim oral është trajtim i linjës së parë për aneminë, por në disa pacientë mund të jetë i papërshtatshëm për shkak të intolerancës, absorbimit të reduktuar, hemorragjive të rënda për shkak të flukseve menstruale të dendura ose patologjive të tjera të mitrës, si dhe nga aderimi i mangët në kurë", shpjegon studiuesi.
Në këto raste, zgjidhje është hekuri intravenoz që në Shtetet e Bashkuara tregtohet në 5 përgatitje të ndryshme farmaceutike. "Ndërsa efikasiteti i tyre është tashmë i përcaktuar, siguria e secilit produkt nuk është i mirëpërcaktuar", pohojnë autorët që kanë vëzhguar 274 raste me anafilaksi gjatë infuzionit të parë dhe 170 reaksione të tjera anafilaktike akute të manifestuara gjatë infuzioneve pasuese.
Studiuesit kanë zbuluar se hekuri dekstran asociohet me një rritje të riskut për anafilaksi madhore në administrimin e parë në krahasim me formulimet e tjera. Ndërsa mes produkteve pa dekstran risku për anafilaksi në fillim të kurës është më i lartë për glukonatin ferrik dhe për ferumoxytol në krahasim me formulimet ferrike që përmbajnë sakarozë.
"Meqë çdo produkt me bazë hekuri intravenoz ka një dozë specifike të rekomanduar në kohë të caktuara administrimi, risku akumulues për anafilaksi është përllogaritur edhe në bazë të numrit të infuzioneve dhe të nivelit të ngopjes së hekurit (1000 mg) të arritur brenda 12 javësh", shkruajnë studiuesit, duke nënvizuar se edhe në këtë rast, dekstrani asociohet me riskun më të lartë për anafilaksi, ndërsa sakaroza me më të ulëtin. "Mekanizmi i reaksionit anafilaktik pas hekurit intravenoz mbetet ende i panjohur", përfundon Wang.
Jama. 2015. doi:10.1001/jama.2015.15572
http://jama.jamanetëork.com/article.aspx?articleid=2470447