Mirëqenie

maj152017

Mungesa e vitaminës D, çështje fiziologjie dhe e stilit të jetës

Sipas një studimi të publikuar së fundi në revistën "Journal of the American Osteopathic Association", pjesa më e madhe e popullsisë perëndimore ka nivele të pamjaftueshme të vitaminës D. "Shkaqet e këtyre mungesave janë të shumta dhe mund të jenë të tipit fiziologjik si mosha e avancuar, të tipit patologjik si sëmundjet kronike p.sh. diabeti i tipit 2, ose nga keq-përthithja si në rastin e celiakisë dhe sëmundjes së Crohn", pohon Kim Pfotenhauer nga Touro University California, njëri prej autorëve, i cili shton se edhe stili i jetës ka një rol të dorës së parë.
Siç shpjegojnë kërkuesit, vitamina D mund të merret (ndonëse në një masë të vogël) nëpërmjet konsumit të ushqimeve si: peshqit e pasur me yndyrë (salmoni, sardelet, toni), nëpërmjet vezëve, mëlçisë së viçit dhe ushqimeve të fortifikuara p.sh. drithërat për mëngjes. Por pjesa më e madhe e kësaj vitamine prodhohet drejtpërdrejt nga organizmi falë ekspozimit në dritën e diellit, me norma prodhimi që variojnë në bazë të moshës dhe organizmit të vetë personit, por edhe në bazë të lartësisë dhe orës së ekspozimit. Më të rinjtë dhe ata me lëkurë të çelët prodhojnë më shumë, veçanërisht nëse ekspozimi ndodh në orët e mesditës dhe në lartësi jo shumë të mëdha.   

"Përdorimi i kremrave diellore me faktorë mbrojtjeje më të lartë se 15 mund të reduktojë edhe 99% të aftësisë së organizmit për të sintetizuar vitaminën D", shpjegon Pfotenhauer,, duke kujtuar se edhe pse janë të domosdoshme për të mbrojtur lëkurën nga kanceri, këto kremra përfaqësojnë një pengesë në arritjen e niveleve optimale të vitaminës D. "Lajmi i mirë është se nuk është e nevojshme të qëndrohet në diell për ditë të tëra për të pasur një përfitim: mjaftojnë 5 deri në 30 minuta në orët e mesditës disa herë në javë", përfundojnë autorët, duke nënvizuar se mungesa e vitaminës D mund të shkaktojë dhimbje muskulore, fraktura kockore dhe pasoja të tjera të rëndësishme për shëndetin e të rriturve.

 


J Am Osteopath Assoc. 2017. doi: 10.7556/jaoa.2017.055
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/28459478


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC