shk122018
Dieta mesdhetare, më e përshtatshmja për të moshuarit
Të moshuarit që ndjekin një dietë mesdhetare, e cila përfshin ushqime me përbërje të lartë antioksidante dhe që është e lidhur me nivele më të ulëta të shënjuesve inflamatorë, janë më pak delikatë se të tjerët.
"Ky shqyrtim sistematik dhe metanalizë jep provën e parë të plotë që tregon se zbatimi i mirë i dietës mesdhetare është i lidhur me një rrezik shumë më të vogël për incidente të shkaktuara nga brishtësia, te të moshuarit që jetojnë në komunitet", thotë Gotaro Kojima (Kolegji Universitar, Londër), autor kryesor i studimit.
Rishikimi ka përfshirë 4 studime perspektive kohorte në të cilët kishin marrë pjesë 5789 të rritur rreth 60 vjeçarë, me një mesatare ndryshimi moshe prej 3.9 vjetësh. Për të matur seriozitetin në ndjekjen e dietës është përdorur Mediterranean Diet Score (MDS), që përmban 0-9 pikë. Ndjekja më e rregullt e dietës është e lidhur me një rrezik shumë më të ulët të incidenteve të ndodhura për shkak të brishtësisë, krahasuar me ndjekjen më të dobët të dietës. Kjo e fundit është përcaktuar me vlerësimin 0-3 sipas MDS-së. Në veçanti, të moshuarit me ndjekje të moderuar (MDS 4-5) kishin një rrezik brishtësie të reduktuar prej 38% në analizën e kombinuar, ndërkohë që ata me ndjekje të lartë (MDS 6-9), paraqisnin një reduktim të rrezikut prej 56%.
Pavarësisht rezultateve pozitive, autorët nënvizojnë se metanaliza e tyre ka kufizime të ndryshme. Ata shkruajnë se kanë zbuluar një numër të vogël studimesh të lidhura me këtë argument, me shumë mundësi sepse lidhja mes dietës dhe brishtësisë është bërë vetëm së fundi. Veç kësaj, do të ishte e nevojshme të merreshin informacione të mëtejshme se cilët nga përbërësit e dietës mesdhetare janë të lidhur me brishtësinë (për shembull: fruta dhe perime, vera e kuqe) dhe se cilët nga përbërësit e brishtësisë ndikohen më shumë prej saj (masa e forcës muskulore, lodhja apo humbja në peshë). Është mjaft e diskutueshme gjithashtu rëndësia e rezultateve MDS-së në popullsinë jomesdhetare, ndërkohë që ndjekja e kësaj diete ka tregues të mirë në popullsitë mesdhetare.
"Tani kemi nevojë për studime të mëtejshme për të konfirmuar këto rezultate dhe për të përcaktuar nëse ndjekja më e kujdesshme e një diete mesdhetare mund të reduktojë rrezikun e brishtësisë edhe në popullsitë jomesdhetare", përfundojnë autorët.
J Am Geriatrics Soc. 2018. Doi: 10.1111/jgs.15251
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29322507