gus252022
Aktiviteti fizik mbi nivelet e rekomanduara ul rrezikun e vdekshmërisë
Sipas një studimi të publikuar në Circulation, të rriturit që bëjnë 2-4 herë në javë sasinë e rekomanduar të aktivitetit fizik të moderuar ose të fuqishëm kanë një rrezik të reduktuar të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet.
Rekomandimet aktuale nga Shoqata Amerikane e Zemrës sugjerojnë të paktën 150 minuta në javë ushtrime aerobike me intensitet të moderuar ose 75 minuta në javë ushtrime të forta aerobike, ose një kombinim të të dyjave.
"Ndikimi i aktivitetit fizik në shëndet është i madh, por është e paqartë nëse përfshirja në nivelet e aktivitetit fizik të qëndrueshëm, të fuqishëm ose me intensitet të moderuar mbi nivelin e rekomanduar ka përfitime shtesë ose efekte të dëmshme në shëndetin kardiovaskular", shpjegon autori kryesor i studimit Dong Hoon Lee, Harvard T.H. Chan School of Public Health, Boston.
Studiuesit analizuan të dhënat e vdekshmërisë dhe të dhënat mjekësore të mbi 100,000 të rriturve të mbledhura nga dy studime të mëdha prospektive. Pjesëmarrësit e studimit ishin 63% gra, më shumë se 96% të rritur të bardhë me një moshë mesatare 66 vjeç dhe një BMI mesatare prej 26 kg/m2 te cilët u ndoqën për 30 vjet.
Aktiviteti fizik i kohës së lirë u raportua nëpërmjet plotësimit të një pyetësori çdo 2 vjet. Aktiviteti i moderuar përfshinte ecjen, ushtrimet me intensitet të ulët, ngritjen e peshave dhe kalisthenikën, një lloj gjimnastike me peshën e trupit. Aktiviteti i fuqishëm përfshinte vrapin, notin, çiklizmin dhe ushtrime të tjera aerobike. Analiza zbuloi se të rriturit që bënin dyfishin e sasisë së rekomanduar të aktivitetit fizik të moderuar ose të fuqishëm çdo javë kishin një rrezik më të ulët të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet në terma afatgjatë.
Pjesëmarrësit që plotësuan udhëzimet për aktivitetin fizik të fuqishëm kishin një rrezik 19% më të ulët të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, ndërsa ata që plotësuan udhëzimet për aktivitetin fizik të moderuar kishin një rrezik 20-21% më të ulët të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet.
Ekspertët vunë në dukje se ulja e rrezikut të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet ishte 21-23% për njerëzit që praktikonin 2-4 herë sasinë e rekomanduar të aktivitetit fizik të fuqishëm dhe 26-31% për njerëzit që praktikonin 2-4 herë sasinë e rekomanduar të aktivitetit fizik të moderuar çdo javë. Nuk u gjetën efekte të dëmshme në shëndetin kardiovaskular te të rriturit që raportuan se i tejkalonin më shumë se katër herë nivelet minimale të rekomanduara të aktivitetit fizik.
Circulation 2022. Doi: 10.1161/CIRCULATIONAHA.121.058162
http://doi.org/10.1161/CIRCULATIONAHA.121.058162