maj132024
Depresioni. Aktivitetet sportive, pjesë të pandara të trajtimit. Ja, përfitimet
Në një analizë sistematike, të publikuar në British Medical Journal, janë publikuar rezultate premtuese përsa i përket efikasitetit të aktiviteteve të ndryshme fizike në lehtësimin e depresionit. Sidomos, ecja, vrapimi, kërcimi, joga dhe ushtrimet e forcës janë opsione të dobishme, si vetëm, ashtu edhe të kombinuara me psikoterapi dhe barna.
Në të janë analizuar 218 studime klinike, duke përfshirë gjithsej 14.710 pjesëmarrës që vuanin nga depresioni, duke krahasuar ushtrimin fizik si trajtim për depresionin me trajtime të konsoliduara (p.sh. antidepresivët SSRI, terapia konjitive e sjelljes), me kontrollet aktive (p.sh. kujdesi i zakoshëm, pilulat placebo, kontrolli edukativ dhe mbështetja sociale), apo me kushtet e kontrollit.
Efikasiteti i aktivitetit fizik ndryshon sipas tipologjisë dhe karakteristikave individuale
Studimi tregon se aktiviteti fizik sjell përfitime të dukshme në trajtimin e depresionit, me reduktime të mëdha të simptomave të konstatuara përsa i përket kërcimit dhe reduktime mesatare përsa u përket aktiviteteve, të tilla si: ecja, vrapimi, joga, stërvitja e forcës, ushtrimet aerobike të përziera, ose tai chi.
Gjithashtu, u vërejt se efikasiteti i ushtrimit ndryshon në bazë të aktivitetit, apo të karakteristikave individuale, me stërvitjen e forcës që rezulton më efikase për gratë dhe të rinjtë dhe me jogën më efikase për meshkujt dhe të moshuarit. Efektet shfaqen në proporcion me intensitetin e ushtrimit të rekomanduar, me rezultate më të larta për ushtrimet më të fuqishme dhe më të dukshme për ushtrimet e grupit.
Mekanizmat e mundshëm të veprimit
Megjithëse nuk janë identifikuar mekanizma të qartë veprimi, supozohet se një kombinim faktorësh, si: ndërveprimi social, ndërgjegjja, vetë-efikasiteti dhe qëndrimi në hapësirat e gjelbra kontribuojnë në efektet pozitive të ushtrimeve fizike ndaj depresionit.
Efekti sinergjik i aktivitetit fizik me trajtime të konsoliduara
Si përfundim, studimi thekson se kombinimi i ushtrimeve me barnat antidepresive, si SSRI-të apo psikoterapia, ka shfaqur efekte mesatare dhe të dukshme nga ana klinike, duke sugjeruar se ushtrimi mund të sjellë përfitime të tjera, përveç trajtimeve të konsoliduara.
"Rezultatet tona mbështesin përfshirjen e ushtrimit fizik, sidomos me intensitet të lartë, si pjesë të udhëzimeve të praktikës klinike për depresionin. Sistemet shëndetësore mund t'i përfshijnë këto trajtime si alternativa të ndërhyrjeve të tjera të konsoliduara, duke zbutur edhe kohën e rreziqeve shëndetësore të lidhura me depresionin", përfundojnë autorët.