nën292022
Emolientët parandalojnë dermatitin atopik te fëmijët
Aplikimi i hershëm i zbutësve (emolientëve) ose hidratuesve është një strategji efektive për parandalimin e dermatitit atopik te foshnjat dhe fëmijët e vegjël me rrezik të lartë, sipas një studimi të botuar në Journal of the European Academy of Dermatology & Venereology.
Dermatiti atopik është sëmundja inflamatore më e zakonshme, kronike dhe e përsëritur e lëkurës, që prek 5-30% të fëmijëve në mbarë botën. "Zbatimi profilaktik i zbutësve është një strategji e njohur efektive kundër dermatitit atopik infantil; megjithatë, dallimi në efektivitet ndërmjet zbutësve të ndryshëm është i panjohur. Ne kryem këtë metaanalizë për të krahasuar zbutësit e ndryshëm të përdorur në mënyrë rutinore për parandalimin e këtyre sëmundjeve", shpjegon autori kryesor i studimit Junqin Liang nga Spitali Xinjiang Uygur në Kinë.
Studiuesit kryen një kërkim sistematik të PubMed, EMBASE dhe Cochrane për të identifikuar studimet përkatëse deri më 28 shkurt 2022. U analizuan 11 prova të kontrolluara me përzgjedhje rastësore të cilat përfshinë 3,483 fëmijë. Tre lloje zbutësish, ndër të cilët: një krem, një emulsion dhe një formulë e përzierë, rezultuan të jenë mjaft efektive në parandalimin e dermatitit atopik infantil; megjithatë, një analizë e mëtejshme sugjeroi se emulsioni zbutës mund të jetë alternativa më e mirë.
Subjektet që morën zbutës përjetuan më shumë efekte anësore. "Rezultatet e këtij rishikimi sistematik dhe metaanalizës tregojnë se aplikimi i hershëm i zbutësve të lëkurës mund të parandalojë në mënyrë efektive zhvillimin e dermatitit atopik te foshnjat, dhe midis tre llojeve të zbutësve të disponueshëm, emulsioni zbutës është ndoshta opsioni optimal për të parandaluar në mënyrë më efektive zhvillimin e sëmundjes gjatë fëmijërisë", përfundojnë autorët.
Në të ardhmen, do të nevojiten studime në shkallë të gjerë dhe të mirë-projektuara për të vërtetuar këto gjetje.
JEADV 2022. Doi: 10.1111/jdv.18688
https://doi.org/10.1111/jdv.18688