Shëndetësi

maj42023

Djegiet nga dielli te fëmijët. Çfarë duhet të kenë parasysh prindërit

Pavarësisht nëse është një ditë me diell ose me pak vranësira, kur fëmijët dalin në ambjentet e jashtme është e rëndësishme që të jenë të mbrojtur nga rrezet e diellit. Në fakt, çdo djegie nga dielli shton rrezikun për të zhvilluar kancer të lëkurës më vonë në jetë. Ekspertët e Atrium Health Wake Forest Baptist në Winston-Salem (SHBA), kanë publikuar në "JAMA Pediatrics" një seri këshillash për t'i ardhur në ndihmë prindërve.

Si t'i mbroni fëmijët nga rreziqet që lidhen me rrezet e diellit

Siç shpjegojnë ekspertët, dielli lëshon dy lloje rrezesh ultravjollcë, UVA dhe UVB, të cilat janë përgjegjëse për shumicën e djegieve nga dielli. Këto rreze janë më intensive midis orës 11 të mëngjesit dhe 3 pasdite, kohë që është konsideruar si më e rrezikshmja për ekspozimin në diell. Njerëzit me lëkurë të hapur, sy blu dhe flokë të kuq dhe biondë janë më të rrezikuar për t'u djegur nga dielli, edhe pse, të gjitha llojet e lëkurës rrezikohen të dëmtohen nga rrezet e diellit, theksojnë studiuesit. Prandaj, hapi i parë për të shmangur djegiet nga dielli është shmangia e ekspozimit në diell në orët qendrore të ditës, kur rrezet janë më intensive. Megjithatë, për foshnjat nën gjashtë muaj duhet të shmanget ekspozimi direkt në diell sa herë që është e mundur.

Kremrat kundër diellit, cilin duhet të zgjidhni

Për sa i përket produkteve kundër djegies nga dielli, një veçori e rëndësishme për t'u kontrolluar në etiketë, siç kujtojnë ekspertët, është faktori mbrojtës nga dielli (SPF), i cili tregon aftësinë e kremit për të mbrojtur lëkurën nga djegia nga dielli. Në veçanti, këshillohet të zgjidhni produkte me SPF të lartë, nga 30 e lart dhe me spektër të gjerë, që mbron si nga rrezet UVA ashtu edhe nga UVB. Sa i përket mekanizmit të veprimit, ekzistojnë dy lloje kremrash kundër diellit që mbrojnë fëmijët, produktet me bazë minerale, të cilat bllokojnë rrezet duke i reflektuar ato nga trupi dhe ato me bazë kimike. Në rastin e parë, ndër përbërësit kryesorë janë molekulat si: dioksidi i titanit ose oksidi i zinkut. Nga ana tjetër, kremrat kimikë të diellit përthithen nga lëkura dhe shndërrojnë rrezet UV në nxehtësi, duke shmangur djegiet. Kremrat kundër diellit, siç theksojnë ekspertët, duhet të përdoren edhe në ditët me re, pasi rrezet mund të kalojnë edhe nëpër re. Për të qenë efektiv, kremi duhet të aplikohet 15-30 minuta para ekspozimit në diell dhe sasia është gjithashtu e rëndësishme, duke pasur parasysh se të rriturit përgjithësisht kanë nevojë për rreth 30 ml krem për të gjithë trupin. Kremrat kundër diellit duhet të riaplikohen më pas çdo dy orë, pas aktiviteteve në ujë ose djersitjes.

Veshja e duhur parandalon djegiet nga dielli

Ekspertët theksojnë gjithashtu se veshjet mund të jenë një tjetër masë kundër djegieve nga dielli. Veshjet me ngjyra më të errëta janë më mbrojtëse sesa veshjet elastike dhe me ngjyra të lehta. Për më tepër, rrobat mund të kenë një faktor mbrojtës UV (UPF) i cili tregon se sa efektiv është në bllokimin e rrezeve UV. Së fundi, fëmijët duhet të mbajnë edhe kapele për të mbrojtur fytyrën, veshët dhe qafën, si dhe syze me mbrojtje UV kur ekspozohen në diell. 

Sabina Mastrangelo

Burimi:
Wood A. C. et al., What parents should know about sun and sunburns in children. JAMA Pediatr (2023) - doi: 10.1001/jamapediatrics.2022.5907


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC