qer112024
Lënia e duhanit. Aplikacion i ri, perspektiva të reja
Metodat tradicionale për lënien e duhanit janë materialet e shkruara, këshillimet, terapia me zëvendësim të nikotinës (NRT) dhe barnat. Edhe pse të gjitha mjetet e sipërpërmendura kanë rezultuar efikase në lënien e duhanit, përfitimet e tyre ndryshojnë në bazë të mënyrës së veprimit dhe të ndryshimeve individuale. Përdorimi i përhapur i pajisjeve celulare ka krijuar mundësi të reja për qasje të shkallëzuara dhe të personalizuara për lënien e duhanit.
Rëndësia e depistimit dhe e lënies së duhanit
Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri në botën perëndimore, ndërsa duhanpirja është një faktor rreziku akoma më i rëndësishëm për sëmundjen. Kanceri i mushkërive është shpesh asimptomatik në fazat fillestare të tij dhe si i tillë, shpesh diagnostikohet në kontekstin e një sëmundje të përparuar, në të cilën trajtimet me qëllim kurativ nuk janë të faktueshme. Depistimi vjetor i kancerit të mushkërive te individët me anamnezë të theksuar tymosjeje, nëpërmjet tomografisë së kompjuterizuar në dozë të ulët (LDCT), mund të nxisë zhvendosjen e stadit drejt sëmundjes së lokalizuar, të reduktojë vdekshmërinë dhe me shumë mundësi, të shtojë mbijetesën në botë. Në një studim të ri, është vlerësuar nëse një aplikacion në celular do të ishte më efikas se materiali i shkruar në lënien e duhanit te individët që i nënshtrohen depistimit me tomografi të kompjuterizuar në dozë të ulët (LDCT) për kancerin e mushkërive.
Futja e aplikacioneve në programet e lënies së duhanit, trefishon probabilitetin për sukses
Studiuesit përfshinë 201 duhanpirës me anamnezë të theksuar duhanpirjeje (≥15 cigare në ditë për ≥25 vjet, ose ≥10 cigare në ditë për ≥30 vjet), të cilët u randomizuan në dy grupe: njëri përdori aplikacionin në celular, ndërsa tjetri mori materialin e shkruar. Rezultatet tregojnë se përdorimi aktiv i aplikacionit i ka përmirësuar dukshëm mundësitë për lënien e duhanit. Në veçanti, pas një kontrolli ecurie prej tre muajsh, 20% e atyre që përdornin aplikacionin e kishin lënë duhanin, krahasuar me 7% të grupit që kishte marrë materialin e shkruar dhe ky rezultat pozitiv u ruajt edhe në kontrollin e ecurisë prej gjashtë muajsh. Edhe përsa i përket atyre që nuk e lanë plotësisht duhanin, një pjesë e madhe e individëve që përdorën aplikacionin, e reduktuan ndjeshëm duhanpirjen, krahasuar me grupin e kontrollit.
Aplikacioni bazohet në terapinë konjitive të sjelljes
Aplikacioni bazohet në terapinë konjitive të sjelljes (CBT), që synon shtimin e ndërgjegjësimit mbi sjelljet e dëmshme ndaj shëndetit dhe mbi mbajtjen e një roli aktiv të individit në rregullimin e sjelljes së tyre. Përveç të tjerash, funksionet e aplikacionit përfshijnë edhe pyetësorë javorë mbi simptomat, ushtrime mbi ndërgjegjësimin dhe kontaktin me një individ për mbështetje virtuale.
Në studime të mëtejshme, studiuesit do të fokusohen në analizimin e efikasitetit të aplikacionit celular jashtë kontekstit të depistimit të kancerit të mushkërive dhe në kombinim me metoda të tjera të lënies së duhanit.